Abdixhiku: Me Xhafën, me të parën!
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim të zjarrtë në Obiliq, ku prezantoi kandidatin për kryetar të komunës, Xhafer Gashin, dhe ekipin për Kuvendin Komunal.
Në fjalën e tij, Abdixhiku vlerësoi punën e LDK-së në Obiliq duke theksuar se kjo parti ka ndërtuar dhe zhvilluar qytetin përmes investimeve dhe shërbimit të përditshëm ndaj qytetarëve. “Me Xhafën në krye, Obiliqi ka ndryshuar faqen e vet. Sot qyteti e di mirë kush është garancia e punës së mirë dhe e së ardhmes së sigurt,” tha ai.
LDK-ja u prezantua si rruga e stabilitetit, e ligjit dhe e zhvillimit, ndërsa Abdixhiku bëri thirrje për mbështetje qytetare në zgjedhjet e 12 tetorit: “Bashkë për fitoren e radhës! LDK, me Xhafën, me të parën!”.
Me moton ‘Obiliqi përtej’, kandidati për kryetar të kësaj komune, Xhafer Gashi kërkoi besimin e qytetarëve edhe për një mandat. Ai shprehu bindjen se janë bërë shumë punë të mira gjatë qeverisjes së tij.
“Ndërtuam shkolla, parqe dhe i kushtuam rëndësi zhvillimit ekonomik. Në zonën industriale u hapen 20 biznese që mundësuan mbi 400 vende pune. Ky është një sukses për arkën e shtetit, e ku në 15 komuna është më i veçanti. Kabinetet janë pasuruar, kemi subvencionuar shume studentë, janë mbuluar shpenzimet e udhëtimit për të gjithë nxënësit. Shëndetësia është prioritet. Kultura, rinia e sporti kanë marrë hov të madh. Biblioteka e klubet sportive janë mbështetur në gara kombëtare e ndërkombëtare”, tha ai.
Gashi u shpreh i bindur në fitoren e tij më 12 tetor, prandaj edhe tha se ka projekte konkrete që i ka paraparë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
“Qeverisja jonë bazohet në qeverisje transparente, për të gjithë, bashkë do t’i zgjedhim projektet, do t’i mbikëqyrim e do t’i gëzojmë. Gjithsej i kemi 126 projekte, e kryesori për mandatin e ardhshëm është nxehja qendrore, që ka impakt në jetesën e të gjithëve. Pastaj, ndërtimi i pishinës gjysmëolimpike, ndërtimi i qendrës rehabilituese për fëmijët me nevoja të veçanta, mbështetja për rini e sport, subvencione për gratë në biznes, ndërtimi i katit të dytë të shtëpisë së pleqve etj”, shtoi ai.
Në këtë tubim elektoral u prezantuan gjithashtu edhe disa nga kandidatët për Kuvend të Komunës së Obiliqit nga LDK-ja. /Kosova.info/
