Selimi akuzon mediat për favorizim të kandidatëve të mëdhenj: Kështu nuk ka as në vendet komuniste

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Prishtinës, Fatmir Selimi, ka reaguar ashpër ndaj mediave të Kosovës duke i akuzuar ato për mungesë të hapësirës për kandidatët e pavarur gjatë fushatës zgjedhore.

Përmes një reagimi publik, Selimi ka thënë se më shumë se tre javë pas fillimit të fushatës, mediat e ashtuquajtura “të pavarura” nuk kanë ofruar asnjë ftesë për debat apo intervistë për kandidatët e pavarur.

“U bënë më shumë se 3 javë që ka fillu fushata, derisa mediat e ashtuquajtura të pavarura të Kosovës nuk po na thërrasin neve kandidatëve të pavarur në debate apo intervista. I anulojnë krejt debatet për shkak se filan kandidati i partive të mëdha nuk ju vjen!”, ka shkruar ai.

Selimi ka përmendur edhe rastin e RTK-së, e cila sipas tij e ka ftuar vetëm katër orë para mbylljes së fushatës, si dhe emisionin “Jeta në Kosovë”, për të cilin thotë se është shtyrë dhe nuk dihet nëse do të mbahet.

Ai ka bërë thirrje publike Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Komisionit të Pavarur për Media (KPM) që të ndërmarrin masa ndaj këtij, siç e cilëson, “favorizimi total të pesë kandidatëve kryesorë”.

“Do të parashtroj ankesë në KQZ dhe në Komisionin e Pavarur për Media, sepse kështu nuk ka as në vendet komuniste! MARRE SHUMË MARRE!”, ka theksuar ai.

Në fund, Selimi ka publikuar edhe një video ku, sipas tij, shihet kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama duke deklaruar se “nuk i njeh kandidatët e tjerë”, çka Selimi e ka quajtur shembull të izolimit mediatik të kandidatëve të pavarur.

Ai e ka mbyllur reagimin me një pyetje drejtuar institucioneve:

“KQZ, ku jeni?” /Kosova.info/


Go to TOP