Trump vendos afat për Hamasin: Pranoni planin për paqe deri të dielën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur një afat për grupin Hamas që të pranojë planin amerikan për paqe në Rripin e Gazës, i cili është hartuar në bashkëpunim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në një postim në platformën e tij ‘Truth Social’, Trump bëri të qartë se afati për pranimin e marrëveshjes skadon të dielën në orën 18:00, sipas kohës lokale të Uashingtonit. Ai e paralajmëroi Hamasin duke deklaruar se ata janë të rrethuar dhe se “po presin vetëm që unë t’u jap fjalën ‘SHKO’, që jetët e tyre të shuheshin shpejt.”

Plani për paqe parashikon një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lirimin e 20 pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi brenda 72 orëve, si dhe dorëzimin e trupave të atyre që supozohet se janë vrarë. Në këmbim, Izraeli do të lirojë qindra palestinezë të ndaluar në paraburgimet e tij, raporton BBC.

Ndërkohë, burime diplomatike raportojnë se ndërmjetës arabë dhe turq janë përfshirë intensivisht në përpjekjet për të bindur Hamasin të pranojë marrëveshjen. Megjithatë, një zyrtar i lartë i grupit ka sinjalizuar se mundësitë për miratimin e saj janë të ulëta, duke ngritur shqetësime për mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje të afërt.

Sipas BBC ndërmjetësuesit kanë kontaktuar me kreun e krahut ushtarak të Hamasit në Gaza, i cili ka lënë të kuptohet se nuk është dakord me planin e ri të armëpushimit të SHBA-së.

Go to TOP