Halimi: Komuna e Prishtinës nis festivalin e parë koral “Echoes of Ocarina” për nxënësit
Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës, nën drejtimin e Sibel Halimit, ka nisur përgatitjet për edicionin e parë të festivalit të këndimit koral “Echoes of Ocarina”.
Ky festival organizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit dhe synon të promovojë muzikën korale në shkolla duke krijuar një platformë vjetore për zhvillimin e talenteve muzikore dhe skenike të nxënësve të kryeqytetit.
Përmes pjesëmarrjes në korin e fëmijëve “Okarina”, nxënësit kanë mundësinë të shprehin kreativitetin, të angazhohen në aktivitete artistike dhe të zhvillojnë bashkëpunimin në grup.
Komuna shpreh mirënjohje për Elikona Hysaj për angazhimin dhe kontributin e saj në fuqizimin e artit muzikor në institucionet arsimore të Prishtinës. /Kosova.info/
