Ia bastisën shtëpinë në Pejë, bosi i fuqishëm i drogës dënohet me 13 vjet burgim dhe 8 milionë euro gjobë

Bosi i fuqishëm i drogës, Princ Dobroshi, 61-vjeç nga Peja, është dënuar me 13 vjet burgim nga një Gjykatë Rajonale e Hamburgut në Gjermani.

Siç shkruan gazeta gjermane Bild, aktgjykimi dënues ndaj Dobroshit u shpall më 13 shtator.

Ai akuzohej për dhjetë ton kokainë të kontrabanduar nga Amerika Jugore dhe Qendrore me anije përmes portit të Hamburgut në vitin 2020.

Dobroshi, i njohur në botën e krimin me nofkën “Peshkaqeni”, akuzohet se e organizoi operacionin.

Përveç dënimit me burg, shteti gjerman synon gjithashtu të mbledhë 8.2 milionë euro dëmshpërblim që do t’i konfiskohen Dobroshit. 2.5 milionë euro në para të gatshme janë sekuestruar tashmë në vitin 2020.

“Peshkaqeni” ishte arrestuar në Shqipëri në fund të vitit 2023 dhe ishte ekstraduar në Gjermani në vitin 2024.

Që nga viti 2006, ai jetonte në Pejë të Kosovës, vendin e tij të lindjes.

Në një operacion të përbashkët mes policive të Kosovës dhe Shqipërisë, në ditën e arrestimit të tij në Shqipëri, autoritetet ligjzbatuese bastisën shtëpinë e Dobroshit në Pejë.

Pjesë e operacionit ishin edhe hetues federalë gjermanë.

Princ Dobroshi njihet për aktivitetin e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Në vitin 1993, ai ishte kapur në Norvegji dhe më 1994 ishte dënuar me 14 vjet burg për përfshirje në trafikun e drogës, përkatësisht heroinës.

Më 1997, Dobroshi ishte largua nga burgu Ullersmo i Norvegjisë. Më 23 shkurt 1999, ai ishte arrestuar në Pragë të Republikës Çeke dhe ishte dorëzuar në Norvegji për të përfunduar vitet e dënimit, shkruan Paparaci.

Ai ishte liruar me kusht dhe ishte dëbuar nga Norvegjia në janar të vitit 2005.

Në vitin 2005 kur kishte kryer burgun, Princ Dobroshi ishte përcjellur nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë.

Kur u rikthye për të jetuar në vendlindjen e tij në Pejë, ai iu rikthye biznesit të lojërave të fatit.

Në vitin 2012, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ai hapi biznesin “StarLotoSport”, e cila për aktivitet kishte bastvënien. Pas 14 ditësh ka bërë kërkesë për ndërrimin e emrit të biznesit duke e regjistruar si “Eurolive-24”. Kjo kompani është e regjistruar për bastvënie, bixhoz si dhe kafe. /Paparaci.com

Go to TOP