Prebreza në tubimin me gratë e Fushë Kosovës: Nuk do të qeveris unë pa ju, por ju bashkë me mua

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka mbajtur sot një tubim elektoral në shkollën “Mihal Grameno”, ku u takua me gratë e qytetit, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Prebreza prezantoi zotimet kryesore të planprogramit qeverisës, duke theksuar se prioritet do të kenë gratë, vajzat dhe të rinjtë e komunës. Ai u shpreh se do të krijohet një fond i veçantë për gratë ndërmarrëse, të cilat do të marrin mbështetje financiare dhe kapitale për të nisur bizneset e tyre, si dhe bursat STEM për vajzat që zgjedhin shkencat, teknologjinë dhe inxhinierinë.

“Nuk do të qeverisë unë pa ju, por ju bashkë me mua. Për gratë dhe vajzat tona kemi zotim të qartë, askush nuk do të mbetet pas. Do të hapim qendra resursesh për gratë, asnjë grua nuk duhet të mbetet prapa përballë sfidave. Fuqizimi i gruas nuk është thjesht barazi, është garanci për drejtësi dhe themel i dinjitetit të shoqërisë”, tha ai.

Prebreza theksoi se projekti i tij për Fushë Kosovën do të jetë gjithëpërfshirës, duke filluar nga çerdhet publike, ndriçimi publik, trotuaret, kultura dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare, gjithçka e menduar edhe sipas nevojave të grave dhe vajzave.

Një tjetër fokus i rëndësishëm i programit është rinia, të cilën Prebreza e quajti “zemra e Fushë Kosovës”. Ai premtoi themelimin e një fondi për start-up biznese, në mënyrë që idetë e të rinjve të mos mbeten vetëm në letër.

“Koha e heshtjes ka kaluar. Sot është koha për të marrë hapësirën që iu takon. Sot nuk po ju kërkoj vetëm mbështetje, por po ju ftoj të bëheni pjesë e këtij ndryshimi, ju ftoj të dilni masivisht në zgjedhje, për të ardhmen tuaj”, shtoi Prebreza.

Në këtë tubim mori pjesë edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila dha mbështetjen e saj për kandidaturën e tij. /Kosova.info/


Go to TOP