Një burrë hyn në stacion të policisë dhe thotë se do ta vrasë Netanyahun me tre plumba, arrestohet

Policia izraelite tha të enjten se ka arrestuar një burrë që kishte kërcënuar se do ta vriste kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Policia tha se pak para fillimit të festës së Vitit të Ri Hebraik të enjten në mbrëmje, një burrë në të dyzetat nga qyteza jugore, Kiryat Gat, hyri në stacionin e policisë lokale duke thënë se do ta vriste Netanyahun, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“I dyshuari iu tha oficerëve se ai planifikonte që të blinte një armë zjarri dhe ta qëllonte tri herë kryeministrin” – tha policia izraelite.

Burri u arrestua dhe një aktakuzë kundër tij pritet të ngrihet të enjten. Policia synon që ta mbajë atë në ndalim deri në përfundimin e procedurave ligjore.

Sipas anketave, Netanyahu po e humb mbështetjen e popullit për shkak të luftës gati dyvjeçare në Gaza kundër militantëve të Hamasit, e cila ka shkaktuar frikë se Izraeli do të izolohet më shumë në skenën botërore.

Në Gaza janë duke u mbajtur ende 48 pengje, 20 prej të cilave besohet se janë akoma gjallë. Familjet e tyre i kanë bërë thirrje Qeverisë që të bëjë një marrëveshje me të cilën do të sigurohej lirimi dhe kthimi i pengjeve në shtëpi.


Go to TOP