Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë zhvillon takim me Guvernatorin e BQK-së Ahmet Ismaili
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ku morën pjesë përfaqësues të kompanive anëtare të Odës, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, si dhe institucione financiare ndërkombëtare, shkruan Kosova.info.
Në fokus të diskutimeve ishin stabiliteti i sektorit financiar, zhvillimet kryesore makroekonomike, aktivitetet e BQK-së në kuadër të reformave strategjike, si dhe avancimi i kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse. Guvernatori Ismaili foli edhe për gjendjen e sektorit bankar, duke konfirmuar kapitalizimin dhe likuiditetin e qëndrueshëm të bankave, si dhe stabilitetin e përgjithshëm të sistemit financiar.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve lidhej me avancimin e sistemit të pagesave, përfshirë lehtësirat e pritshme për bizneset nga anëtarësimi i Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe projektin për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta – TIPS Clone, i cili pritet të ketë ndikim të madh në ekonominë vendore. Këto iniciativa u mirëpritën dhe u mbështetën nga pjesëmarrësit, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjatë fjalës së tij, Ismaili falënderoi Odën Amerikane për ftesën dhe e vlerësoi si të rëndësishme platformën e dialogut me sektorin privat, për të kuptuar më mirë sfidat e tyre dhe për të avancuar bashkërisht reformat. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të kanaleve alternative të financimit përmes tregut të kapitalit, mbështetjes së inovacionit dhe integrimit financiar të vendit me tregjet evropiane dhe amerikane.
Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, falënderoi Guvernatorin për gatishmërinë e tij për dialog dhe vlerësoi transparencën e BQK-së, duke u zotuar për një bashkëpunim të vazhdueshëm në funksion të forcimit të sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë./Kosova.info/
