Izraeli e pëson fatalitetin e parë të ofensivës së re në Qytetin Gaza, vritet Major Shahar Bozag
Ushtria izraelite ka njoftuar se një oficer i saj u vra gjatë luftimeve në Qytetin Gaza të hënën.
Ushtari i vrarë u identifikua si Major Shahar Netanel Bozag, 27 vjeç, komandant kompanie në Batalionin e 77-të të Brigadës së 7-të të Blinduar, nga Migdal Haemeku, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, gjatë ofensivës që po vazhdon në Qytetin Gaza, një pjesëtar i Hamasit hodhi një granatë dore në drejtim të tankeve të Batalionit të 77-të, duke i shkaktuar lëndime oficerit.
Bozaglo u dërgua në një spital, ku gjendja e tij u përkeqësua dhe nuk u mbijetoi plagëve.
Ai është ushtari i parë izraelit që vritet në ofensivën e re të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit kundër Hamasit në Qytetin Gaza, e cila filloi javën e kaluar.
Pak para fillimit të kësaj ofensive, të enjten e javës së kaluar ushtria izraelite njoftoi se iu vranë katër ushtarë, pasi automjeti me të cilin po udhëtonin në qytetin Rafah të Gazës ra në një mjet shpërthyes.
