PZAP dënon me 2 mijë e 500 euro gjobë Lëvizjen Vetëvendosje
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës e ka gjobitur subjektin politik, Lëvizja Vetëvendosje me 2 mijë e 500 euro gjobë për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjekte Publike.
PZAP e ka pranuar ankesën e PDK duke arsyetuar se kandidati për kryetar Faton Peci me qëllim të përfitimit të votave shfrytëzon hapësira të institucioneve publike për të promovuar veten dhe subjektin politik LVV, ku me këtë veprim janë shkelur dispozitat ligjore të nenit 36 paragrafi 1 i LZP-së.
“Paneli pasi që shqyrtoi pretendimet ankimore dhe përgjigjen në ankesë, ka gjetur se postimi i fotove është ende aktive në llogarinë në facebook të kandidatit për kryetar të Komunës së Mitrovicës nga radhët e subjektit politik LVV z. Faton Peci dhe ka vërtetuar se fushata është bërë në hapësirat e brendshme të Muzeut të Qytetit në Mitrovicë. Nga prova materiale e bashkangjitur ankesës të Subjektit Politik PDK, dhe shkresave tjera të lëndës, paneli ka vlerësuar se nga ana e kandidatit për kryetar nga radhët e subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), është shkelur Rregullore Zgjedhore Nr.07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, pasi që kandidati në fjalë, me qëllim të promovimit të numrit në listën me të cilën kandidon për kryetar, është regjistruar në hapësirat e brendshme të Muzeut të Qytetit, për fushatë zgjedhore, veprim ky i cili bie në kundërshtim edhe me dispozitën e nenit 36 paragrafi 1 i Ligjit NR.08/L-228, për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku parashihet se “personi i cili mban pozitë publike i zgjedhur apo i caktuar nuk mund të përdorë atë zyre apondonjë nga pasurit e saj me qëllim të përfitimit të votave. Asnjë nga burimet e asnjëinstitucioni te administratës publike qoftë te nivelit qendror ose lokal ose edhe ndonjë ndërmarrje ne zotërim ose të kontrolluar nga autoritetet qendrore ose lokale nuk mund të shfrytëzohet ose të futen në mbështetje të ndonjë subjekti politik në zgjedhje”, thuhet në dokument.
