Serbia mban paradë ushtarake në një kohë protestash antiqeveritare

Parada ushtarake po mbahet në kryeqytetin serb të shtunën nën sloganin “Fuqia e Unitetit”.

Njëkohësisht, një grup qytetarësh, me thirrjen e studentëve protestues, u mblodhën “në mbështetje të ushtrisë”.

Mbi 10.000 trupa do të marshojnë në paradë, së bashku me mbi 2.500 armë dhe pajisje ushtarake, sipas autoriteteve.

Parada po zhvillohet në një kohë protestash masive antiqeveritare në Serbi, të nxitura nga vdekja e 16 njerëzve në një aksident në Novi Sad nëntorin e kaluar.

Përfundon parada ushtarake

Parada ushtarake në Beograd përfundoi me shfaqjen e flotës ajrore të vendit.

Gjatë kësaj shfaqje fluturuan avionë luftarakë MiG-29 mbi zonën ku u mbajt parada ushtarake.

Ata u shoqëruan nga avionë bombardues “Shqiponja”, të ndjekur nga një fluturim i avionëve transportues “Supergaleb” dhe avionëve stërvitorë “Lasta”.

Anëtarët e Brigadës së 63-të të Parashutistëve kryen një kërcim me parashutë.

Kush ishin të ftuarit që morën pjesë në paradë?

Në paradën ushtarake të Serbisë në Beogard nuk pati fytyra shumë të njohura apo të rëndësishme nga bota e politikës.

Në mesin e atyre që morën pjesë ishin, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed bin Zayed, anëtari i familjes mbretërore të Bahreinit Nasser bin Hamad, aktori Steven Seagal, si dhe ish-presidenti i entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.

“Ushtria dhe studentët”

Teksa kalojnë tanket dhe mjetet luftarake, qytetarët dhe studentët, të rrethuar nga kordoni policor, brohorasin “Ushtria dhe studentët” dhe përshëndesin ushtarët.

Situata është e qetë, raporton gazetarja e REL-it.

Serbia shpenzon më së shumti në rajon për ushtrinë

Serbia bashkëpunon gjerësisht me Kinën në sektorin e mbrojtjes, dhe blerjet e saj të armëve nga ky vend kanë shkaktuar kritika nga Bashkimi Evropian – ku Serbia mëton të anëtarësohet – dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Si justifikim për armatosjen e Serbisë, Vuçiq shpesh përdor “kërcënimet nga fqinjësia”.

Parakalimi i njësive të motorizuara

Në kuadër të programit të paradës ushtarake ka filluar parakalimi i njësive të motorizuara.

Në mesin e tyre ishin, ndër të tjera, automjetet e blinduara luftarake “Lazar 3”, “Millosh” dhe “Hummer”, me pjesëtarë të njësive speciale dhe të zbulimit, si dhe motoçikleta katër rrotëshe.

Policia dhe Xhandarmëria shtypin qytetarët

Studentët dhe qytetarët po shtyhen prapa nga Policia dhe Xhandarmëria dhe po mbahen “në rreth” pranë Pallatit “Serbia”, raporton një gazetar i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Studentët dhe qytetarët nuk po bëjnë rezistencë ndërsa policia po i shtynë ata.

Ata po i pyesin oficerët e policisë “kë po mbroni”, dhe po brohorisin “po rrihni njerëz”, “po sulmoni njerëz”.

Parada në Beograd është një mesazh për fqinjët, vlerëson analisti amerikan

Kurt Bassuener
Kurt Bassuener

Parada në Beograd është një mesazh për fqinjët, vlerëson analisti amerikan Kurt Bassuener nga Këshilli për Politika të Demokratizimit me seli në Berlin, i cili e sheh këtë paradë si një sinjal të hapur ndaj vendeve fqinje të Serbisë për arsenalit të saj të ri ushtarak.

“Por kjo është gjithashtu – ndoshta edhe para së gjithash – një përpjekje e dukshme për të vendosur kontroll të brendshëm në Serbi, kontroll që gjithnjë e më shumë po i shpëton Vuçiqit nga duart, të paktën në aspektin e opinionit publik”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, fakti që, siç thotë ai, Vuçiqit “po i ikën kontrolli” në vend, po ndikon edhe në politikën e jashtme të tij, duke e shtyrë drejt një arbitrazhi gjeopolitik.

Në paradë parakalojnë edhe “Kobrat”

Në mesin e njësiteve që po kalojnë në paradën ushtarake në Beograd është edhe njësiti “Kobrat”, raportojnë gazetarë të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë nga vendi i ngjarjes.

Anëtarët të këtij njësiti ishin parë në ambientet e Partisë Progresive Serbe në pushtet në Novi Sad, natën kur demonstruesit shkatërruan ambientet e SNS-së në atë qytet.

Pjesëtarë të njësitit "Kobrat" parakalojnë në paradën ushtarake në Beograd.

Policia vendos kordon midis studentëve dhe vendit të paradës

Policia ka vendosur kordon për të mos i lejuar pjesëmarrësit e tubimit studentor të afrohen në hyrje të paradës ushtarake.

Përveç anëtarëve të policisë së trazirave, ka edhe anëtarë të Xhandarmërisë me pajisje të plota për të shpërndarë demonstratat.

Megjithatë, policia është pozicionuar në disa unaza, kështu që pjesëmarrësit e tubimit studentor po përpiqen të gjejnë një rrugë për në paradë.

Pjesëmarrësit në tubimin studentor me të cilët foli Radio Evropa e Lirë thonë se do të përpiqen të hyjnë individualisht në zonën ku po zhvillohet parada.

Ata janë të indinjuar nga sjellja e policisë së trazirave dhe e Xhandarmërisë, të cilët ua bllokuan kalimin.

Ata theksojnë se “ushtria nuk është e Vuçiqit, por e popullit”, se “askush nuk mund t’i ndalojë ata të kalojnë” dhe pyesin pse njerëzit që vijnë në mënyrë të organizuar dhe që pretendojnë se janë mbështetës të qeverisë, lejohen të hyjnë në paradë si spektatorë.

Teksa parada ende nuk ka filluar, qytetarë dhe studentë kanë nisur të mblidhën jashtë kordoneve të paradës.

Studentët, të cilët kanë zhvilluar protestas antiqeveritare për muaj të tërë, e thirrën tubimin e sotëm në të njëjtën kohë me paradë “në mbështetje të ushtrisë”.

Njësitë e policisë për trazira janë të pranishme.


Go to TOP