Qeveria në detyrë miraton vendime për shpronësime të disa pronave të paluajtshme
Qeveria e Kosovës në detyrë ka marrë të premten një sërë vendimesh që lidhen me investime dhe projekte infrastrukturore në disa komuna të vendit, në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale.
Ekzekutivi ka miratuar vendimin për shpronësimin e pronave për interes publik në Komunën e Podujevës, për ndërtimin e ndërtesave të banimit të përballueshëm dhe social. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se me këtë vendim finalizohet procesi i shpronësimit për ndërtimin e 131 njësive të banimit, prej tyre 106 për banim të përballueshëm dhe 27 për banim social. Sipas tij, ky investim kap vlerën e 13.6 milionë eurove.
“Podujeva është një nga 13 komunat që ka aplikuar për zbatim të këtij projekti. Me këtë vendim të sotëm finalizohet procesi i shpronësimit për ndërtimin e 131 njësive të banimit atje, prej tyre 106 për banim të përballueshëm dhe 27 për banim social. Ky është një investim i madh në vlerë prej 13.6 milionë eurosh e ku punimet po vijojnë tutje”, u shpreh Kurti.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria në detyrë miratoi edhe vendimin për shpronësimin e pronave të nevojshme për realizimin e projektit të modernizimit të ujësjellësit në Gjilan. Ky projekt, i financuar nga Banka Botërore dhe ndërmarrja rajonale për ujësjellës “Hidromorava”, ka një vlerë prej 15 milionë eurosh.
“Ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunën e Gjilanit. Një projekt në vlerë prej 15 milionë euro që garanton furnizim të qëndrueshëm me ujë për qytetarët e kësaj komune, përderisa i ulë shumë humbjet teknike”, tha Kurti.
Po ashtu, Qeveria vendosi për transferimin e mbi 2 milionë eurove për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2025/2026.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka sjellë për aprovim kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për transferin e mjeteve buxhetore në shumë prej 2 milionë e 41 mijë euro për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2025/2026”, theksoi kryeministri në detyrë.
Krahas këtyre, ekzekutivi mori edhe disa vendime të tjera që lidhen me projekte zhvillimore dhe mbështetje financiare në komuna të ndryshme të Kosovës. /Kosova.info/
