Dogana e Kosovës kap dy orë luksoze mbi 1.3 milionë € të padeklaruara në Aeroportin e Prishtinës
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar përkohësisht dy orë luksoze të padeklaruara, gjatë një kontrolli në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitet doganore kanë zbuluar një orë të markës Richard Mille dhe një Rolex, me vlerë totale 1.340.027,50 euro, të cilat një udhëtar kishte tentuar t’i fuste në Kosovë pa i deklaruar në Kanalin e Gjelbër.
“Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar,” thuhet në njoftimin e Doganës.
I dyshuari është intervistuar më 17 shtator dhe është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa orët mbeten të ndaluara deri në një vendim të mëtejmë nga Prokuroria.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe detyrave të saj për të parandaluar shmangien nga obligimet doganore, kontrabandën dhe pasurinë e pajustifikuar. /Kosova.info/
