Kabashi kundërshton Kurtin: Qumështi kurrë s’është paguar 20 centë, s’ka si i besohet një mashtruesi
Fermeri nga Istogu, Sadush Kabashi, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të Kryeministrit Albin Kurti për çmimin e qumështit. Kabashi tha se është i habitur sesi një kryeministër mund të publikojë një status të tillë duke e quajtur mashtrim.
“Qumështi kurrë, prej që punoj këtë punë, nuk është paguar 20 cent. Para 15 vjetësh është paguar 42 cent, kur një lopë e mirë kushtonte 1500-1700 euro, ndërsa sot paguhet 48 cent dhe një lopë kushton 2500-3000 euro. Atëherë një punëtor paguhej 250-300 euro, kurse sot 800-1000 euro. Si mund t’i besosh një mashtruesi? Më vjen keq për fermerët që e përkrahin, se nuk e di si i durojnë këto rrena,” tha Kabashi.
Reagimi i tij erdhi pas postimit të kryeministrit në detyrë Kurti, i cili gjatë një vizite në fermën e blegtorit Avdullah Zenuni në Viti deklaroi se, para qeverisjes së tij, blegtorët shisnin qumështin me 20 centë për litër, ndërsa tani e shesin me 50 centë.
“Vizituam blegtorin Avdullah Zenunin, prej më të dalluarve në Viti. Ai ka 70 krerë lopë. Para qeverisjes sonë, blegtorët kanë shitur litrën e qumështit për 20 cent, tani ata marrin 50 cent në litër, 2.5 herë më shumë,” shkroi Kurti duke shtuar se pas tetorit bujqit e Vitisë do ta kenë edhe një qeverisje lokale që do t’i përkrahë.
Kurti, njëherësh, shprehu mbështetjen e tij për kandidatin e VV-së për kryetar të Vitisë, Arsim Ademin, të cilin e cilësoi si profesionist të ndershëm dhe të gatshëm për të fituar zgjedhjet lokale. /Kosova.info/
