Pas humbjeve territoriale, komandanti ukrainas shkarkon dy oficerë të lartë ushtarakë

Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, ka shkarkuar dy oficerë të lartë ushtarakë pas humbjes së territoreve në zonat që ishin nën komandën e tyre, raportuan mediat ukrainase, duke cituar burime ushtarake.

Mediumi “Ukrainska Pravda”, duke cituar dy burime të larta ushtarake, tha se komandanti Syrskyi e urdhëroi shkarkimin e dy oficerëve të ushtrisë së 17-të dhe të 20-të gjatë dy javëve të fundit. Agjencia ukrainase e lajmeve, “Interfax Ukraine”, pati raport të ngjashëm, raporton agjencia “Reuters”.

“Ukrainska Pravda” tha se trupat e ushtrisë së 17-të, të udhëhequra nga Volodymyr Silenko, ndodheshin në rajonin Zaporizhia, ku ushtria ukrainase kishte humbur të paktën një fshat në brigjet e Lumit Dnipro.

Trupat e ushtrisë së 20-të, të drejtuara nga Maksym Kituhin, ishin me bazë në kufirin administrativ mes rajoneve Donetsk në lindje e Dnipropetrovsk në qendër, ku forcat ruse kanë njoftuar një varg suksesesh, duke kapur disa fshatra.

Agjencia “Interfax” tha se dy oficerët janë transferuar në detyra të tjera.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se forcat e saj e kishin marrë nën kontroll fshatin Olhivske në rajonin Zaporizhia. Vladimir Rogov, zyrtar i lartë i emëruar nga Moska në pjesët e kontrolluara nga rusët në atë rajon, i tha agjencisë ruse të lajmeve RIA se forcat ruse kishin depërtuar në vijat mbrojtëse ukrainase dhe kishin kapur rreth 30 kilometra katrorë territor.

Përderisa lufta e nisur në dimrin e vitit 2022 po vazhdon, forcat ruse janë përfshirë në përpjekje të gjata për të depërtuar më në perëndim në rajonin Donetsk. Njëra nga shënjestrat kyçe është qyteti Pokrovsk.

Ushtria ukrainase lëshoi një deklaratë duke cituar një komandant në atë zonë, Andriy Kryshchenko, të ketë thënë se forcat ukrainase kishin ndalur një avancim të rusëve afër Pokrovskut.

“Secili e kupton se tensioni tashmë është hequr dhe puna po vazhdon në mënyrë të qetë për t’i shkatërruar armiqtë tanë” – citohet të ketë thënë ai.

Blogu i popullarizuar ushtarak ukrainas, “DeepState”, i cili përdor harta me burim të hapur për t’i përcjellë pozicionet e trupave, tha se forcat ukrainase kishin shënuar suksese kundër trupave ruse afër qytezës Dobropillia, në veri të Pokrovskut.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet e asnjërës palë.


Go to TOP