Gëzim Mehmeti: Prishtina rrezikon mbi 12 milionë euro nga anulimi i sheshit “George Bush”
Gëzim Mehmeti, kandidat i LDK-së për Asamblenë Komunale të Prishtinës, ka reaguar lidhur me projektin e sheshit “George Bush”, duke paralajmëruar se qyteti rrezikon të humbasë 12 milionë e 700 mijë euro, që përbëjnë rreth 70% të vlerës së kontratës mbi 18 milionë euro, nëse ky projekt anulohet dhe nuk realizohet.
“Nëse projekti i sheshit ‘George Bush’ anulohet e nuk realizohet, bllokuesit janë përgjegjës për këto dëme. Këto janë paratë tona, të fëmijëve tanë. Prishtinës nuk i duhen lojëra politike. Na duhet zhvillim, jo bllokim. Prishtina përtej bllokadave…”, ka shkruar Mehmeti në një status në Facebook.
Ky projekt ka ngjallur polemika në kryeqytet mes atyre që e mbështesin realizimin e tij dhe kundërshtarëve që kërkojnë anulimin, duke e kthyer atë në një prej çështjeve më të diskutuara në Prishtinë.
