AARC: Pezullimi i Dialogut Strategjik alarm për Kosovën, partneriteti me SHBA duhet rindërtuar me urgjencë
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka reaguar pas pezullimit pa afat të Dialogut Strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara duke e cilësuar këtë si zhvillimin më alarmues në marrëdhëniet dypalëshe të dekadave të fundit.
Në reagim thuhet se kjo masë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për veprim nga institucionet e Kosovës dhe udhëheqja politike, të cilët duhet të respektojnë Kushtetutën dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për krijimin e institucioneve.
“AARC prej kohësh ka paralajmëruar për një erozion në partneritetin Kosovë-SHBA. Marrëdhëniet diplomatike janë në një pikë të ulët historike, dhe pezullimi i Dialogut Strategjik është shembulli më i fundit dhe më alarmues i këtij përkeqësimi. Ky trend duhet të përmbyset menjëherë. Rindërtimi i besimit dhe partneritetit kërkon koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çdo nivel”, thuhet në deklaratë.
Këshilli thekson se nuk ka sovranitet për Kosovën pa mbështetjen amerikane dhe paralajmëron se mungesa e dialogut ka krijuar polarizim ekstrem në vend. Sipas AARC, çështje të përcaktuara qartë nga Kushtetuta janë shndërruar pa nevojë në konflikte politike duke dëmtuar unitetin dhe stabilitetin e vendit.
Në reagim gjithashtu kritikohet padrejtësia e situatës ndërkombëtare, ku Kosova ndëshkohet, ndërsa Serbia shpërblehet me vizita dhe bisedime strategjike në SHBA, pavarësisht lidhjeve të saj të afërta me Rusinë dhe Kinën. Megjithatë, AARC thekson se kjo nuk e liron Kosovën nga përgjegjësitë për të vepruar me maturi dhe vizion politik.
“Qeveria aktuale dhe çdo qeveri e ardhshme duhet të krijojnë urgjentisht mekanizma dhe kanale lobimi në Uashington. Kosova nuk duhet të ndëshkohet në favor të Serbisë, por për këtë nevojitet angazhim serioz dhe i koordinuar,” theksohet më tej.
Në fund, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane i bën thirrje udhëheqjes politike dhe institucioneve të Kosovës që të përballen me këtë moment krize me unitet e përgjegjësi duke garantuar që partneriteti me Shtetet e Bashkuara të mbetet i fortë dhe i orientuar drejt së ardhmes. /Kosova.info/
