Sekuestrohen katër armë zjarri në tri raste të ndara në rajonin e Ferizajt

Policia e Kosovës ka sekuestruar katër armë zjarri gjatë tri rasteve të ndara në rajonin e Ferizajt, të regjistruara në periudhën 11–13 shtator 2025, në komunat Ferizaj, Shtime dhe Kaçanik

Rasti i parë është shënuar më 11 shtator, rreth orës 20:11, në rrugën “Ismet Ramadani” në Ferizaj, ku policia pas informacioneve për të shtëna me armë ka ndërhyrë menjëherë. Tre persona të dyshuar u arrestuan, ndërsa tek dy prej tyre u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri. Në vendngjarje u gjetën gjithashtu 13 gëzhoja. Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit u ndaluan për 48 orë.

Rasti i dytë ka ndodhur në Shtime. Pas informacioneve të pranuara nga njësia e hetimeve në Lipjan, policia ka ushtruar kontroll më 12 shtator në shtëpinë e një personi në fshatin Zborc, ku është sekuestruar një armë zjarri (pistoletë). I dyshuari u intervistua dhe më pas u lirua në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Rasti i tretë është regjistruar në orët e para të 13 shtatorit, në fshatin Sllatinë të Kaçanikut. Policia reagoi pas raportimeve për të shtëna me armë dhe identifikoi katër vetura që lëviznin me shpejtësi drejt zonës. Në oborrin e një vile u gjetën automjetet e përshkruara dhe tek një person u sekuestrua një armë zjarri. Në vendngjarje u gjetën edhe tetë gëzhoja.

Në të gjitha rastet, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, prokurori i shtetit ka iniciuar procedurat e nevojshme hetimore, ndërsa armët e sekuestruara janë dorëzuar si prova.


Go to TOP