Tahiri: Lidhja e Kosovës me SHBA është lidhje gjaku, jo vetëm partneritet politik
Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën duke e cilësuar marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së si shumë më tepër se një raport politik apo partneritet bilateral.
“Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm marrëdhënie bilaterale apo partneritet strategjik, por është lidhje gjaku. Amerika në vitin 1999 ndali gjakderdhjen, spastrimin etnik dhe solli lirinë. Kjo e vërtetë është e skalitur në identitetin tonë shtetëror,” tha Tahiri.
Ai theksoi se çdo tentativë për ta relativizuar këtë raport është e rrezikshme duke nënvizuar se marrëdhënia me SHBA nuk është produkt i “eksperimenteve dhe kalkulimeve politike të momentit”, por e sakrificës, historisë, dhe besimit të ndërsjellë.
Tahiri u shpreh se ky është moment reflektimi për qeverinë aktuale, veçanërisht për Vetëvendosjen, që sipas tij e ka sjellë vendin në një situatë të vështirë. “VV duhet ta pyesin veten, ku e sollëm vendin dhe kah po shkojmë si shtet?” theksoi ai.
Ai u bëri thirrje edhe forcave të tjera politike që të jenë më të guximshme në komunikimin me qytetarët duke i rikujtuar se Kosova e pavarur, demokratike dhe multietnike është një projekt i përjetshëm që garanton të ardhmen e shqiptarëve.
“Për mua, çdo mjegullnajë që tenton ta dobësojë këtë lidhje dhe kushdo që sadopak dëmton marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën, bën tradhti të rëndë, pasi këtë marrëdhënie e ka bekuar edhe Zoti. SHBA është e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e sigurt dhe e ndritshme e Kosovës,” përfundoi Tahiri duke shtuar: “God Bless America, God Bless Kosova-American friendship, God Bless Kosova.” /Kosova.info/
