Muharremi: Kosova është gati për ndryshim drejtimi, e ardhmja varet nga partitë e djathta
Analisti politik Shenoll Muharremi ka deklaruar se Kosova po hyn në një fazë kritike pas pezullimit të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe bllokimit të procesit të integrimit nga Bashkimi Evropian. Ai thekson se qytetarët ndihen të pasigurt për të ardhmen dhe se sot gati 70% e kosovarëve janë të vetëdijshëm dhe në favor të ndryshimit të drejtimit politik e ekonomik.
Sipas Muharremit, koha e të majtës po perëndon dhe Kosova tashmë është e gatshme për orientim drejt politikave të djathta, të cilat duhet të fokusohen në stabilitet, zhvillim ekonomik, investime në infrastrukturë e teknologji, si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha me BE dhe SHBA.
Ai kritikon partitë e djathta në Kosovë për mungesën e vizionit dhe veprimit duke thënë se ato nuk po arrijnë të ofrojnë alternativën e nevojshme dhe të gjenerojnë platformën që kërkojnë qytetarët. Muharremi paralajmëron se mosveprimi i tyre mund të thellojë krizën duke rrezikuar jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e vendit.
“E ardhmja e Kosovës sot është e lidhur me partitë e djathta. Nëse ato lënë mënjanë egot dhe interesat e ngushta partiake dhe vendosin interesin e publikut e të Kosovës mbi gjithçka, do të mbahen mend për të mirë. Përndryshe, të gjithë janë humbës,” u shpreh ai. /Kosova.info/
