Presidentja Osmani: Aleanca me SHBA-të është pjesë e identitetit tonë shtetëror, Dialogu Strategjik duhet të rifillojë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke e cilësuar këtë mekanizëm si një instrument të rëndësishëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në deklaratën e saj, Presidentja thekson se raporti i Kosovës me SHBA-të është shumë më tepër sesa një marrëdhënie diplomatike duke e përshkruar atë si pjesë ekzistenciale të identitetit shtetëror dhe kombëtar të vendit.

“Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar,” tha Osmani duke kujtuar edhe letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar saj në gusht 2025 si një konfirmim i vazhdueshëm i këtij partneriteti.

Ajo rikujtoi se Dialogu Strategjik ishte iniciuar nga Presidenca e Kosovës në vitin 2021, u rikonfirmua në vitin 2022 përmes komunikimeve zyrtare dhe takimeve me Sekretarin Amerikan të Shtetit, ndërsa u finalizua në janar 2025 gjatë takimit të saj me Departamentin e Shtetit.

Presidentja theksoi se aleanca me SHBA-të është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. “Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot,” deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se do të vazhdojë të punojë ngushtë me SHBA-të në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit, ndërtimin e së ardhmes euroatlantike dhe mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës.

“Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i bashkëpunimit. Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me SHBA-të është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes,” përfundon deklarata e Presidentes Osmani. /Kosova.info/


Go to TOP