Petar Petkoviqi refuzon të diskutojë në Bruksel për Luginën, reagon Shaip Kamberi
Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve në Bruksel, ku përfaqësuesi i Serbisë, Petar Petkoviq, refuzoi të diskutojë me palën e Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në qendër të debatit ishte çështja e subvencionimit të bujqve nga Qeveria e Kosovës, ndihmë kjo e bllokuar nga autoritetet serbe.
Në një postim në Facebook, Kamberi ka akuzuar Serbinë për mohimin e të drejtave të pakicave kombëtare, veçanërisht të shqiptarëve në Luginë duke penguar edhe ndihma që synojnë zhvillimin e rajonit.
“Sanksionimi juridik kur përdoren simbolet kombëtare, përfaqësimi i pamjaftueshëm në sistemin e drejtësisë, polici e institucione publike, si dhe diskriminimi sistematik tregojnë se ekziston një asimetri midis politikës së jashtme të Serbisë dhe politikës së saj të brendshme ndaj pakicave”, shkroi Kamberi.
Ai theksoi se Serbia kufizon të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ndërkohë që këmbëngul për privilegje që, sipas tij, nuk njihen as nga e drejta ndërkombëtare për komunitetin serb në Kosovë.
“Në rrethana të këtilla Qeveria e Kosovës, me të drejtë, zgjidhjen e sheh në ndërtimin e reciprocitetit si standard për të drejtat e pakicave në rajon”, shtoi Kamberi.
Raundi i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pas takimit, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se u diskutua edhe për bllokimin e shpërndarjes së fondeve të dedikuara për fermerët në Luginën e Preshevës.
“Pala serbe mendon që ne nuk duhet të kujdesemi për fermerët në Luginë dhe nuk duhet të sigurojmë që ata i marrin këto fonde”, tha Bislimi.
Një shumë prej një milion eurosh e ndarë nga Qeveria e Kosovës për fermerët e Luginës së Preshevës vazhdon të mbetet e bllokuar nga Serbia. /Kosova.info/
