Rama inauguron sheshin “Rexhep Luci”: Prishtina ndërtohet për jetë, jo për beton

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka inauguruar sot sheshin “Rexhep Luci” dhe ka zbuluar pllakën përkujtimore në nder të arkitektit vizionar, emrin e të cilit mban ky shesh.

Në fjalën e tij, Rama tha se ky moment është një përmbushje e ëndrrës së arkitektit që i dha shpirt Prishtinës duke theksuar se qyteti nuk duhet të ndërtohet për beton, por për jetë.

“Ëndrra e arkitektit Rexhep Luci po bëhet realitet: qyteti nuk ndërtohet për beton, por për jetë. Ky është transformimi ynë, një Prishtinë që ecën PËRTEJ,” u shpreh Rama.

Sheshi “Rexhep Luci” është konceptuar si një hapësirë publike moderne dhe funksionale, e cila synon të ruajë kujtesën historike të arkitektit duke i dhënë njëkohësisht qytetarëve një ambient të hapur, gjallërues dhe të aksesueshëm.

Ky inaugurim vjen si pjesë e vizionit të Komunës së Prishtinës për transformimin urban dhe krijimin e hapësirave publike që i shërbejnë jetës dhe komunitetit. /Kosova.info/


Go to TOP