FFK reagon në UEFA ndaj referimit ofendues të Federatës së Futbollit të Spanjës ndaj Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar zyrtarisht pas mënyrës fyese të referimit të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) ndaj Kosovës, duke e quajtur atë “territori i Kosovës” në komunikimet e saj zyrtare para ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian 2027, Kosovë–Spanjë, shkruan Kosova.info.

Përmes një shkrese të dërguar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, dhe presidentit të RFEF-së, Rafael Louzan, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka paraqitur notë proteste duke e cilësuar këtë qasje si të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e UEFA-s.

“Një qasje e tillë e mohon sovranitetin e Kosovës, e cila është shtet i pavarur dhe i përfaqësuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, anëtare e barabartë dhe e plotë e UEFA-s, ashtu siç është edhe vetë RFEF”, thekson Ademi në letrën e tij.

Ai kujton se nuk është hera e parë që Spanja përdor formulime të tilla nënvlerësuese, ndërsa kërkon nga UEFA një reagim të qartë dhe të menjëhershëm, si dhe një korrigjim publik nga Federata Spanjolle.

Në fund të shkresës, presidenti Ademi shpreh pritjen që FFK të vazhdojë të trajtohet si anëtare e barabartë e UEFA-s, duke theksuar nevojën për respekt të plotë nga të gjitha federatat kombëtare./Kosova.info/

Go to TOP