Qytetari nga Shtimja dorëzon portofolin me rreth 2,600 euro në polici
Policia ka njoftuar se një qytetar nga Shtimja ka dorëzuar në polici një portofol të gjetur, duke bërë që rreth 2,600 euro të kthehen tek pronari i tij.
“S. Brahimi ka gjetur një portofol me dokumente dhe para në fshatin Belincë dhe e ka dorëzuar menjëherë në stacionin policor në Shtime,” njofton Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.
Policia bën të ditur se pas verifikimit, rezultoi se portofoli i përkiste qytetarit Sh.R nga Ferizaj. Policia kontaktoi pronarin, i cili erdhi në stacion për ta marrë portofolin. Dokumentet dhe paratë iu kthyen atij me procesverbal.
Saktësisht, portofoli përmbante 2,468.40 euro, 102 dollarë, 30 franga dhe 10 paund, të cilat iu kthyen pronarit me dokumentacion të plotë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj shpreh mirënjohje për qytetarin S. Brahimi, duke e vlerësuar këtë gjest si një akt human dhe shembullor, që pasqyron standarde të larta të integritetit dhe përgjegjësisë qytetare”, theksohet në njoftim. /Kosova.info/
