Fillimi i paraqitjes së provave nga mbrojtja në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit hhe Krasniqit
Më 15 shtator 2025 pritet të nisë paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas njoftimit zyrtar, mbrojtja e Thaçit do të thërrasë dëshmitarin e parë, me ç’rast seanca do të jetë kryesisht publike dhe do të fillojë nga ora 9:00. Ajo do të transmetohet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze përmes faqes zyrtare të DHSK-së, me një vonesë prej 45 minutash.
Për shkak të interesimit të madh, qytetarët që dëshirojnë të ndjekin seancën nga galeria publike në Hagë duhet të bëjnë regjistrim paraprak përmes adresës elektronike [email protected]. Vendi konsiderohet i konfirmuar vetëm pas pranimit të përgjigjes me email, që do të dërgohet jo më vonë se më 11 shtator 2025.
Gjithashtu, organet mediatike që synojnë të ndjekin nga afër procesin duhet të paralajmërojnë nevojën për rezervim të hapësirës në qendrën e medias.
Në njoftim theksohet se të gjithë të pranishmit në galeri duhet të respektojnë rregullat e sjelljes brenda ambienteve të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
