KPK diskuton ligjin e ri për KPK-në dhe ndalon përkohësisht avancimin e një prokurori
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) mbajti sot takimin e radhës, ku u diskutuan 22 pika të rendit të ditës. Anëtari Visar Krasniqi propozoi shtimin e një pike për zbatimin e ligjit të ri për KPK-në, i cili parashikon edhe fuzionimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa me atë të Administrimit të Prokurorive, por kjo nuk u shtua si pikë e veçantë.
Krasniqi ngriti shqetësime për konfliktin e mundshëm të roleve: “Funksioni i këshillit është menaxhimi i sistemit prokurorial. Si mund një anëtar të jetë edhe prokuror, edhe menaxher i vetvetes?”
Ai gjithashtu kritikoi normën orientuese për prokurorët e shtetit duke theksuar se praktikat në rajon nuk e kanë një normë të tillë dhe kjo mund të krijojë probleme administrative.
Kryesuesi i Këshillit Normativ, Arian Gashi, njoftoi se KPK ka miratuar rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së, e hartuar në koordinim me Zyrën e Bashkimit Evropian dhe grupin punues duke përfshirë shoqërinë civile dhe partnerë ndërkombëtarë. Rregullorja synon të krijojë mekanizma të qarta për shpalljen e konkurseve dhe përfaqësimin bazuar në komunitete dhe gjininë femërore.
Me propozim të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, KPK ka vendosur të ndalojë përkohësisht procesin e avancimit të një prokurori në Prokurorinë Speciale, për shkak të dyshimeve për konflikt interesi. Konkretisht, për konkurs kanë aplikuar Armend Zenelaj, Fitore Sadikaj dhe Sadri Alija, ndërsa APK është duke vlerësuar situatën.
Në të njëjtin takim u bë i mundur avancimi i tre prokurorëve në Prokurorinë e Apelit dhe dy prokurorëve në pozitat për të mitur në Gjakovë. Një prokuror u transferua nga Gjykata e Apelit në atë themelore në Gjilan, ndërsa dy prokurorëve iu dërguan emrat te Presidenca për lirimin nga detyra për shkak të pensionimit. /Kosova.info/
