Presidentja Osmani telegram ngushëllimi për Anagnostin: Frymëzim për brezat

Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar frymëzim për gjeneratat që vijnë mjeshtrin kinematografik, Dhimitër Anagnosti, në telegramin ngushëllues ndaj familjarëve të tij.

“Ai ishte një prej figurave më të shquara të artit tone, i cili me krijimtarinë e tij prej disa dekadash pasuroi kulturën kombëtare, duke i dhënë dinjitet dhe identitet kinemasë shqiptare ne botë. Veprat e tij, të ngulitura thellë në kujtesën e publikut, mbeten dëshmi e përhershme e talentit, guximit intelektual dhe përkushtimit të tij për artin dhe shoqërinë. Trashëgimia e tij e çmuar do te mbetet përherë pjesë e kujtesës kolektive dhe frymëzim për gjeneratat qe vijnë”, thuhet në telegramin ngushëllues.

Regjisori Anagnosti vdiq dje në moshën 89-vjeçare, teksa ishte një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare. Ai ka realizuar shumë filma artistikë dhe dokumentarë që trajtojnë tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike.

Anagnosti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe më vonë edhe si politikan.

Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.

Ai është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti në vitin 2011, ku është vlerësuar si një nga regjisorët më të shquar të kinematografisë shqiptare. /Kosova.info/


Go to TOP