Çitaku akuzon Haxhiun: Ne nuk kemi bërë pazare të ndyra me Listën Serbe

Nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj Albulena Haxhiut, duke e akuzuar se Vetëvendosje ka bërë marrëveshje të fshehta me Listën Serbe dhe ka rrënuar besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.

“Lista Serbe nuk ka si të na shantazhojë, sepse ne nuk kemi bërë kurrë marrëveshje të fshehta e të ndyra me ta, as kundër veteranëve, as pazare të dështuara për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, shkroi Çitaku.

Ajo theksoi se qëndrimi i PDK-së është parimor dhe në mbrojtje të rendit kushtetues, ndërsa akuzoi VV-në se “sfidon pa fund” kushtetutshmërinë.

“Ju mund të provoni ta relativizoni të vërtetën, por nuk mund ta fshini. Jeni ju që keni lidhur paktet e turpit dhe keni rrënuar besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Në mungesë të shumicës për të ndërtuar qeverinë, po bëni taktizime fëminore”, shtoi Çitaku.

Ky reagim vjen në vazhdën e përplasjeve mes partive politike për procesin e formimit të qeverisë së re. /Kosova.info/


Go to TOP