Në mungesë kuorumi dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të hënën nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit.
Të pranishëm, përveç Bashës, ishin dy nënkryetare: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emilja Rexhepi nga partitë joserbe, por munguan ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në deklarimin pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për vazhdimin e punimeve të institucioneve të legjislaturës së nëntë.
“Si kryetar i Kuvendit kam qenë para një situate ku ose të ndaloj punimet e Kuvendit, ose të vazhdoj punimet me një Kryesi funksionale, ku kemi 5 nga 6 anëtarë pra, kuorum të mjaftueshëm,” ka thënë Basha, duke aluduar në dështimin e zgjedhjes së një nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Ai ka thënë se, para se të vinte në mbledhjen e Kryesisë, është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
“Unë kam kërkuar nga Presidentja që ta njoftoj për seancën konstituive që e kemi mbajtur dhe t’ia shpjegoj arsyetimet e mia për konstituimin e Kuvendit, para se të dal para publikut, duke marrë parasysh që Presidentja është garantuese kushtetuese,” ka thënë ai.
Sa i përket mungesës së kuorumit pas mosardhjes së nënkryetarëve Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala në mbledhje, ai ka thënë se pret që të takohen së shpejti me ta.
“Për mua, ka qenë një mbledhje konsultative me nënkryetarët, megjithatë ata kanë refuzuar,” ka theksuar Basha.
