Shën Gjon Pagëzuesi Kryepremë u martirizua sepse ishte kundër martesës së Herodit me gruan e vëllait të tij

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Edhe Kisha e Shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan, që nga fundshekulli i XVIII, përkundër sfidave të shumta të imponuara nga pushtues të ndryshëm, e mban me krenari emrin e Pajtorit të saj – Shën Gjon Pagëzuesit, apo Shën Gjonit Kryepremë, zërit të fuqishëm të shkretëtirës, profetit të pendimit dhe martirit të drejtësisë e të së vërtetës. Ky përkushtim nuk është rastësi, por një kujtesë e gjallë se famullia e Zllakuqanit, ashtu si dikur profeti i Jordanit, është thirrur të ruajë besimin, të ngrejë zërin kundër padrejtësive dhe të qëndrojë vertikalisht përballë furtunave të kohës.

Historia e Shën Gjon Pagëzuesit është një nga faqet më të dhimbshme, por njëherësh më madhështore të dy Besëlidhjeve. Ai u bë martir jo pse kishte bërë ndonjë krim, por sepse pati guximin të thoshte të vërtetën ashtu siç ishte. Ai e ngriti gishtin dhe zërin kundër mëkatit publik, duke e denoncuar hapur lidhjen e ndaluar të Herodit me kunatën e tij, Herodiadën – gruan e vëllait të tij Filipit – duke i thënë: “Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!” (Mt. 14,4).

Në atë kohë, askush nuk guxonte të përballej me pushtetin, por Gjoni nuk dinte të heshte para të drejtës për moralin. Ai ishte dhe mbeti ndërgjegjja e gjallë e popullit të vet. Por e vërteta absolute shpesh është e padurueshme për ata që jetojnë në errësirën e mëkatit. Herodiada, e verbuar nga urrejtja, e pa tek Gjoni rrezikun më të madh për pushtetin dhe krenarinë e saj. Prandaj, duke shfrytëzuar bukurinë e së bijës, ngriti një kurth mizor për të shuar zërin e profetit.

Në ditëlindjen e Herodit, në mes luksit dhe epshit të shfrenuar, vallëzimi i bijës së saj robëroi zemrën e dobët të Herodit. I mahnitur, ai i premtoi se do t’ia plotësonte çdo dëshirë. Dhe ajo, sipas udhëzimit të së ëmës, kërkoi: “Ma jep këtu në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit!” (Mt. 14,8).

Kështu, profeti që pagëzoi Jezu Krishtin në Lumin Jordan u bë martiri që pagëzoi me gjakun e tij tokën e shenjtë. Ai ra viktimë e ligësisë, por fitoi pavdekësinë e së vërtetës. Zëri i tij nuk u shua me shpatën e rojeve të burgut, por vazhdoi të kumbonte ndër shekuj, duke e bërë Shën Gjonin simbol të guximit dhe të drejtësisë hyjnore.

Martirizimi i Shën Gjonit nuk është thjesht një histori biblike, por një pasqyrë e përhershme për Kishën dhe për popullin besimtar. Ashtu si Profeti Gjoni nuk bëri kompromis me mëkatin, edhe besimtari sot është i thirrur të qëndrojë në anën e së vërtetës, qoftë edhe kur kjo kushton shumë.

Kisha e Shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan, në trevën e Lugut të Drinit të Klinës, duke mbajtur me krenari emrin e këtij Pajtorit të madh të dy Besëlidhjeve, ka dëshmuar për herë dhe aktualisht dëshmon se historia e tij nuk është vetëm një kujtim i largët, por një mësim i gjallë për çdo brez, të mos heshtim kur cenohet dhe dhunohet e vërteta, të mos ulim kryet para padrejtësisë dhe të jemi gjithmonë të gatshëm ta mbrojmë ligjin e Zotit me moral, ndërgjegje dhe besnikëri të pastërt.

Shën Gjon Pagëzuesi mbetet pishtar i ndezur mbi horizontin e Kishës universale dhe një gur themeli shpirtëror për trevat tona. Kryet e tij mund të jetë prerë e servuar mbi një pjatë, por e vërteta që ai shpalli nuk u mposht kurrë – dhe do të mbijetojë deri në mbarim të botës.

Për shumë mote për të gjithë ata qe e kremtojnë këtë festë tē Këtij Pajtori të madh martir, Shën Gjon Pagëzuesit Kryeprem!


Go to TOP