IKSHPK: Regjistrimi në çerdhe e shkolla fillore vetëm me dëshmi vaksinimi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se fëmijët që regjistrohen në çerdhe, kopshte dhe shkolla fillore duhet të kenë dëshmi të vaksinimit sipas moshës në momentin e regjistrimit.

Ky vendim bazohet në Ligjin nr. 08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse, Udhëzimin Administrativ nr. 05/2025 për Imunoprofilaksë dhe Kimoprofilaksë, Udhëzimet Administrative të MASHTI-t nr. 09/2023 dhe nr. 03/2022, si dhe Qarkoren Informative të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 05/2025.

Qëllimi i kësaj mase është mbrojtja e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit shkollor, duke parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe krijimin e një mjedisi të sigurt arsimor dhe edukativ.

Prindërit që kanë pyetje mund të kontaktojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare më të afërt për ndihmë dhe këshillim.

“Mbrojtja e shëndetit të fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët për të gjithë ne!”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/


Go to TOP