Krasniqi: Vetëvendosje do vazhdimin e bllokadës

Kryetari i partisë së dytë më të madhe në Kuvendin e Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, e ka akuzuar partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, se “dëshiron” ta vazhdojë ngërçin politik.

Duke folur pas dështimit të radhës për ta konstituuar Kuvendin, Krasniqi tha për gazetarë: “Ju po e vëreni që ka një tentim për të mos shkuar tutje me konstituimin e Kuvendit, por çfarë më befason mua është fakti se si krejt Vetëvendosja, nga Kurti deri te deputeti i fundit, po angazhohen për ta bërë nënkryetar një deputet të komunitetit serb, që, nëse e krahasoj, shumë më pak janë angazhuar për Albulena Haxhiun apo Dimal Bashën”.

Seanca e sotme u ndërpre pasi Nenad Rashiq nga pakica serbe nuk i mori votat për t’u emëruar nënkryetari i pestë i Kuvendit.

Krasniqi shpjegoi se deputetët e partisë së tij po abstenojnë nga votimi për Rashiqin, “sepse mënyra e votimit është jokushtetuese”.

“Ajo çfarë e ka karakterizuar sjelljen e Vetëvendosjes nga 15 prilli është veprimi jokushtetues dhe këtë e ka dëshmuar dy herë Gjykata Kushtetuese”, tha Krasniqi.

Sipas tij, ndikimi politik dhe real i ngërçit është “fakti që po vazhdon bllokada e nuk po konstituohet Kuvendi dhe rrjedhimisht nuk po arrijmë ta fusim në afate kushtetuese Albin Kurtin për ta dëshmuar atë që e kemi thënë gjithë: ai nuk i ka votat për ta formuar qeverinë”.


Go to TOP