Abdixhiku: LDK-ja nuk shpërblen mediokritetin, refuzojmë të bëhemi pjesë e “cirkut” në Kuvend
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës duke theksuar se partia që ai udhëheq nuk do të bëhet pjesë e “cirkut politik” dhe shkeljeve kushtetuese në procesin e zgjedhjes së udhëheqësve të institucionit.
Ai kujtoi figurën e akademik Idriz Ajetit si kryetarin e parë të Kuvendit të Republikës duke e vënë në kontrast me situatën aktuale që sipas tij dëshmon “rrënimin vleror të shoqërisë nga popullizmi”.
“Natyrisht se LDK-ja nuk shpërblen mediokritetin. Natyrisht se LDK-ja nuk ka votë promovuesi vulgar të urrejtjes, ndarjes e propagandës – në nivelet më të larta institucionale. Besojmë se përfaqësimi politik duhet të jetë fisnik”, u shpreh Abdixhiku.
Ai akuzoi partinë në pushtet për krijimin e krizave politike dhe për precedanë të rrezikshëm që, sipas tij, mund të bllokojnë institucionet në të ardhmen.
“Le t’i japin zgjidhje krizave që i shkaktojnë qëllimisht. Ky s’është drejtimi ynë! Prandaj dhe s’mund e s’duam të jemi pjesë e një skenari të tillë”, deklaroi kreu i LDK-së.
Në fund, Abdixhiku tha se LDK mbetet adresa e përfaqësimit dinjitoz për qytetarët që nuk ndihen të përfaqësuar nga politika aktuale duke bërë thirrje për bashkim rreth “ëndrrave normale në një Republikë normale”. /Kosova.info/
