Kelmendi: Kosova po kalon zhvlerësimin më të madh, udhëheqësi mendon vetëm për veten

Gazetari dhe analisti Adriatik Kelmendi ka reaguar me tone të ashpra ndaj situatës së fundit politike në Kosovë, duke e quajtur atë si kulmin e një periudhe të keqe që ka prekur vendin. Ai tha se krejt kjo ndodh kur në krye të shtetit është një person i cili “nuk është i preokupuar as me popullin shqiptar, as me shtetin, as me partinë e vet, por vetëm me veten e vet.”

Sipas Kelmendit, zhvillimet e ditëve të fundit mund të shërbejnë si një tregim zbavitës në bisedat diplomatike, ku “kryepersonazhi AK” do të mburrej se ka tallur të gjithë. Por, njëkohësisht, ai thekson se kjo është edhe rrëfimi më i tmerrshëm për një popull që ka luftuar gjatë për liri dhe vetëvendosje.

“Është diçka që nuk është dashur të ndodhë, por ja që ndodhi,” ka deklaruar Kelmendi, duke shtuar se për një person pa të kaluar, pa të tashme dhe pa një projekt të ardhshëm për shqiptarët dhe Kosovën, zhvlerësimi i skajshëm i shtetit mund të duket zbavitës. “Kjo nuk iu falet të tjerëve,” shtoi ai.

Kelmendi përfundon duke paralajmëruar se gjithçka ka kontekstin e vet historik dhe se “mjerë ata që do të mbesin në histori për atë që po i ndodhë Kosovës këto ditë.” /Kosova.info/


Go to TOP