Lushaku akuzon Çekun: 4 milionë subvencione të keqpërdorura në prag zgjedhjesh, Kosova nuk është bankë e VV-së

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, Hajrulla Çeku duke akuzuar për keqpërdorim të subvencioneve publike në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas saj, ministri po shpërndan miliona euro pa legjitimitet duke marrë vendime afatgjata për tri vitet e ardhshme, edhe pse është ministër i përkohshëm.

“Ministri i paligjshëm Çeku po shpërndan miliona euro pikërisht tani, në prag të zgjedhjeve. Sot, një ministër pa legjitimitet ndan fonde për tri vitet e ardhshme, për 2025, 2026 dhe 2027! Imagjinoni, një ministër i përkohshëm po merr vendime për tri vitet e ardhshme!”, ka shkruar Lushaku.

Ajo akuzoi MKRS-në për mungesë transparence dhe manipulim me listat e përfituesve: “Një ditë publikohen, ditën tjetër fshihen, pastaj dalin me ndryshime. Organizata që figuron dy herë, shuma që ndryshojnë, e në fund shtohen edhe 38 organizata brenda natës!”.

Deputetja e LDK-së tha se kjo nuk është mbështetje për kulturën, por abuzim elektoral me paranë publike. “Kjo nuk është transparencë, por manipulim i pistë për vota! Qytetarët e Kosovës nuk shiten për dhurata zgjedhore. Dinjiteti i tyre nuk blihet! Kosova nuk është bankë e VV-së!”, përfundoi ajo. /Kosova.info/


Go to TOP