AKB: Thëngjilli po kalbet nën tokë – qeveria favorizon importin, jo prodhuesit vendorë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur një shqetësim serioz që, sipas saj, po prek punëtorët, prodhuesit vendorë dhe gjithë ekonominë e Kosovës.

Në një reagim publik, AKB ka kritikuar vendimin e mëhershëm të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e kompanisë “Kosova Thëngjill” duke theksuar se ky hap ka lënë 170 punëtorë pa punë dhe ka ndaluar shitjen e thëngjillit nga miniera e Obiliqit.

Sipas AKB-së, ky vendim është një goditje e rëndë për industrinë prodhuese vendore, duke detyruar kompanitë kosovare të importojnë thëngjill me çmime shumë më të larta. Vetëm gjatë vitit 2024, bizneset kanë shpenzuar rreth 6 milionë euro për import të thëngjillit – mjete që, sipas tyre, do të duhej të mbështesnin punësimin dhe zhvillimin brenda vendit.

Organizata ngre disa pyetje drejtuar qeverisë:

Pse ndalohet shitja e thëngjillit vendor kur prodhuesit kanë nevojë urgjente për të?
Pse u mbyll “Kosova Thëngjill” duke dëmtuar punëtorët, ndërkohë që shtetet fqinje si Maqedonia e Serbia shprehin interes për blerjen e tij?
Pse paguhen miliona për import, ndërsa pasuritë vendore mbesin të pashfrytëzuara?
Pse nuk shfrytëzohet thëngjilli tani, kur pas vitit 2033, sipas direktivave të BE-së, përdorimi i tij do të ndalohet në gjithë Evropën, përfshirë edhe Kosovën?

“Koha për ta shfrytëzuar është sot, jo nesër”, theksoi AKB-ja duke paraqitur edhe kërkesat kryesore:

Rihapjen e menjëhershme të kompanisë “Kosova Thëngjill” dhe kthimin në punë të 170 punëtorëve.
Lejimin e shitjes së thëngjillit vendor për prodhuesit e Kosovës.
Hartimin e një plani emergjent për shfrytëzimin e rezervave deri në vitin 2033.
Një dialog të hapur mes qeverisë dhe sektorit privat.

Në përmbyllje, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, e cilësoi këtë vendim si “të papranueshëm dhe të dëmshëm për punëtorët, prodhuesit dhe ekonominë e vendit”. /Kosova.info/


Go to TOP