Teknologjia po ndryshon zakonet e leximit, ulet interesin për librat fizik
Në një kohë kur ritmi i jetës shpesh na largon nga leximi, libraritë dhe shitësit ambulantë mbeten ura lidhëse mes botës së librit dhe lexuesve. Në kryeqytet, libraritë raportojnë se këtë verë interesimi për librat e fëmijëve është në rritje, ndërsa lexuesit e rregullt preferojnë autorët e huaj. Nga ana tjetër, shitësit ambulantë theksojnë se lexuesit më të shpeshtë janë mbi 50 vjeç.
Kjo nuk është thjesht një hapësirë shitjeje, por një urë që lidh breza, ide dhe botë të reja.
Sa lexojmë sot, çfarë kërkojnë lexuesit e rinj? Na tregon Zgjim Sherifi, menaxher në një nga libraritë e kryeqytetit.
“Gjithmonë në librari shkrimtarët e huaj kërkohen dhe lexohen më shumë. Shkrimtarët shqiptarë janë në rol dytësor,” thotë Zgjim Sherifi, nga libraria “Dukagjini”.
Pavarësisht se shpesh të krijohet përshtypja se lexues më nuk ka, librashitësit vënë në pah se ata ekzistojnë.
“Për shkak të teknologjisë dhe ndryshimeve të kohës, ne të rinjët po preferojmë të lexojmë më shumë në gjuhën angleze… kohëve të fundit po lexojnë më shumë femrat se sa meshkujt”, thotë lexuesi Ervin Blakaj.
Shitësit ambulantë sjellin librin më afër qytetarëve, aty ku leximi bëhet pjesë e përditshmërisë.
Mirsad Krasniqi dhe Florim Beqiri tash e disa vite njihen nga adhuruesit e librave. Ata i gjen çdo ditë në sheshin “Zahir Pajaziti”, pavarësisht nëse kanë shitje apo jo. Sipas tyre, moshat që më së shumti lexojnë janë ata mbi 50 vjeç, ndërkohë që rinia lë për të dëshiruar.
“Krahasuar me vitet e tjera, tash lexohet më pak, sidomos të rinjtë po lexojnë shumë më pak, në fakt edhe nuk po shesim shumë…,” tha Mirsad Krasniqi, shitës ambulant.
Edhe Florim Beqiri, shitës ambulant, thekson se “në verë më së shumti blejnë mërgimtarët që duan të njoftojnë historinë tonë, e stinët e tjera nuk po shiten shumë libra.”
Edhe zhvillimi i teknologjisë mbetet faktor shtyllë që ka ndikuar në rënie të lexueshmërisë. Këtë e vënë në pah edhe autorë librash.
“Në këtë kohë të rinjtë po preferojnë më shumë të kalojnë kohë në internet se sa të lexojnë libra…”, tha Lavdie Shkodra, shkrimtare-psikologe.
Shkrimtari Ervi Sidheri thekson se “në këtë kohë të rinjtë po preferojnë më shumë të kalojnë kohë në internet se sa të lexojnë libra”.
Autorë librash e shitës thonë se kohëve të fundit librat elektronikë kanë bërë që të bjerë numri i shitjeve të librave fizik.
