​Serbia kërkon nxitje konfliktesh, Prljaskaj: Kosova të mos bie në provokime dhe të formojë sa më parë institucionet

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia pritet të konkretizojnë së shpejti nismën në fushën e mbrojtjes, përmes së cilës shtetet synojnë të rrisin ndërveprueshmërinë. Një partneritet i tillë është shumë i rëndësishëm, veçmas në kontekstin aktual gjeopolitik, vlerëson në një intervistë për KosovaPress, ish-deputetja në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Prljaskaj.

Më 18 mars të këtij viti, tri shtetet nënshkruan një deklaratë përmes së cilës angazhohen për forcim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Deklarata u nënshkrua në Tiranë, nga ministrat e Mbrojtjes. Deri më tash nuk dihet nëse kësaj nisme do t’i bashkohet edhe ndonjë tjetër shtet.

Marrëveshja mundëson, përveç stërvitjeve, edhe blerje të përbashkëta armatimi.

Prljaskaj: Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes në mes të Kosovës dhe Kroacisë, shumë i rëndësishëm

“Ky rast i bashkëpunimit në mes të Kroacisë dhe Kosovës është shumë i rëndësishëm. Kroacia është pjesë e NATO-s, ka një përvojë shumë të madhe edhe në pjesën ushtarake dhe mendoj që këtë gjë e ka parë edhe shteti i Kosovës ku kohët e fundit ka takime më intensive në mes të ushtrisë kosovare dhe ushtrisë kroate, ku parashohin bashkëpunime e trajnime të ndryshme, blerje të armëve e kështu me radhë”, thotë Prljaskaj në një intervistë për KosovaPress.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i tha më herët Radios Evropa e Lirë se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues “për ta zbërthyer planin në nivel operacional”.

Shqipëria dhe Kroacia janë pjesë e NATO-s, ndërkohë Kosova synon anëtarësimin në këtë aleancë dhe pret që shtetet partnere në këtë marrëveshje, ta ndihmojnë në rrugën euroatlantike – konkretisht në anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.

Kundër kësaj nisme pati dalë Beogradi zyrtar, ku pas nënshkrimit të marrëveshjes ka pasur reagime nga Serbia e cila e cilësoi këtë si “provokim të hapur”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pati thënë pas nënshkrimit se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.

E sipas Ermina Prljaskaj, qëllimi i Serbisë është “nxitja e konflikteve”.

Prljaskaj: Qëllimi i Serbisë është të nxitë konflikte

“Qëllimi i Serbisë është të nxitë konflikte të tjera, të kemi zjarre të luftës edhe në vendet e tjera, të mos jetë vetëm Ukraina, të jetë Kosova, të jetë Bosnje e Herceoginva, ne e shohim edhe rastin e Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë, rastin e Dodikut, të gjitha këto janë të themi ashtu një nxitje nga pala serbe e cila përqendrohet që të qëndrojë në pushtetin e saj në Serbi duke i ngacmuar shtetet fqinje përreth. Të mos harrojmë edhe Malin e Zi ku është një pjesë e qeverisë pro serbe, të gjitha këto janë faktorët që mund të bëjnë një nxitje të një lufte lokale, jo globale, e ne në këtë moment nuk kemi nevojë për luftëra të tilla”, thotë ajo.

Ajo përmend edhe raportin e mirë që Beogradi e ka me Moskën.

Serbia vazhdon të ketë raporte të mira me Rusinë dhe e njëjta, pas luftës në Ukrainë nuk ka vendosur sanksione ndaj saj, edhe pas presionit nga Perëndimi.

Prljaskaj: Kosova të mos bie në provokimet e Serbisë

“Qëllimi i tyre është të bëjnë nxitje, Serbia të gjithë e dimë që është në bashkëpunim me Rusinë, kjo është e hapur, dhe normal që bëhet fjalë është për ndryshimet gjeopolitike që mund të ndodhin pas nxitjeve të luftërave të tilla. Kështu që besoj që Kosova do të jetë çdo herë e gatshme siç është edhe Kroacia e gatshme për mbrojtjen e shtetit dhe kufijve e sovranitetit të saj… Kosova duhet të mos bie në provokimet e Serbisë, mirëpo duhet të ketë një ushtri e cila është e gatshme dhe e përgatitur, që të jetë e gatshme duhet të jetë e përgatitun me armatime të ndryshme, siç është duke bërë edhe shteti i Kroacisë, pra të rritet buxheti i pjesës së armatimeve dhe të ketë trajnime të ushtrisë së Kosovës me shtetet që janë pjesë e Bashkimit Evropian”, thotë ai.

Ndër të tjera, ish-deputetja në Kroaci, thekson nevojën që Kosova të formojë sa më parë institucionet e reja.

Vendi është në ngërç politik pasi deputetët nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin e Kosovës as gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Prljaskaj: Është koha që të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria e re në Kosovë

Video

“Në çdo shtet ku nuk ka qeverisje normal që çdo herë ngecin disa projekte, mendoj që është koha që më të vërtetë të konstituohet edhe Kuvendi i Kosovës si dhe të formohet qeveria e Kosovës sepse situata globale për momentin është shumë me ndryshime dhe tendenca që nuk i dihet se si do të pritet e nesërmja dhe është shumë keq për një shtet të vogël siç është Kosova të mos ketë qeveri që të shohim dhe të fillojnë realizimin e projekteve. Nuk është puna vetëm te projektet, por edhe të mbrojtja e shtetit, sepse kemi nevojë të kemi një mbrojtje më të fortë duke e pasur parasysh se cilët janë shtetet fqinje siç është Serbia e cila çdo herë me provokimet e saj bën përplasje që të nxit shkëndije të zjarreve jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje e Hercegovinë. Sipas mundësive do të nxitnin ata edhe në Kroaci, mirëpo për momentin qëndron një shtet i fortë i cili nuk i lejon më nxitjet e tyre që të depërtojnë në shtetin kroat”, thotë ajo.

Go to TOP