Trump: Putin mund të merr pjesë në Kupën e Botës 2026
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot se homologu i tij rus Vladimir Putin, mund të merr pjesë në Kupën e Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Ai e përmendi këtë mundësi gjatë një takimi me Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në Zyrën Ovale, raporton The Hill.
Trump diskutoi detajet e organizimit me Infantino, gjatë të cilit u konfirmua se shorti për kampionatin do të mbahet në Qendrën Kennedy në dhjetor. Në një moment, ai futi dorën në sirtarin e tavolinës së tij dhe nxori një foto të tij dhe Putin.
“Sapo më dërguan një fotografi nga dikush që me të vërtetë dëshiron të vërë bast këtu. Ai ishte shumë respektues për mua dhe vendin tonë, por jo aq shumë për askënd tjetër. Do ta nënshkruaj këtë për të. Por më dërguan një dhe mendova se të gjithëve do t’ju pëlqente ta shihnit. Është një burrë me emrin Vladimir Putin,” tha Trump duke treguar fotografinë.
“I cili besoj se do të vijë, varësisht nga ajo që ndodh. Mund të vijë, mund të mos vijë, varësisht nga ajo që ndodh,” shtoi Trump.
Fotografia që tregoi Trump u bë një javë më parë në Alaska, ku të dy udhëheqësit u takuan për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Trump konfirmoi gjithashtu të premten se kishte folur përsëri me Putin kohët e fundit dhe shprehu pakënaqësinë e tij për sulmin e Rusisë ndaj një fabrike amerikane në Ukrainë të enjten.
“I thashë se nuk jam i lumtur për këtë. Dhe nuk jam i lumtur për asgjë që ka të bëjë me luftën. Nuk jam aspak i lumtur. Do të shohim se çfarë ndodh. Mendoj se në dy javët e ardhshme do të zbulojmë se ku do të shkojë, dhe më mirë të jem shumë i lumtur”, tha ai.
