E vërteta historike-besnike e pjesëmarrësve të saj
Shkruan: Luz ThAQI
Për një hark kohor të afro një shekulli, e posaçërisht në çerekun e fundit të shekullit që e lamë pas, populli shqiptar në Kosovë ishte populli më i keqtrajtuar, më i shtypur dhe më i përbuzur në Ballkan. Padrejtësitë historike dhe mbetja pa dëshirën e saj brenda një krijese artificiale të formuar në mbarim të luftës së dytë botërore, në të ashtuquajturën ish Jugosllavi, i solli Kosovës një okupim klasik dhe privim i të drejtës themelore të saj për mëvetësia, duke e vënë atë në mënyrë permanente nën okupimin klasik, veçanërisht të Serbisë.
Mospajtimi i vendosur i shqiptarëve për të jetuar nën okupim ishte konstant dhe i përhershëm si dhe i ngulitur thellë në qenien e tyre, andaj me çdo çmim ishin të përcaktuar për të jetuar të lirë dhe të ndarë përherë me okupuesin shekullor.
Saga e jonë për të fituar lirinë dhe pavarësinë në betejën e pabarabartë me Serbinë dhe makinerinë e saj vrastare, në fillim të rezistencës sonë nuk ishte kuptuar dhe as aprovuar nga bota progresiste. Andaj ne, në fillim më forcat tona dhe më shpresën të i madhi Zot, do e thellojmë luftën tonë për liri të filluar shumë breza më parë, dhe atë pa e ditur fundin as pa parë dritën në horizont!
Në këtë betejë, Serbia okupuese e zhbëri çdo lloj të drejte që ne shqiptarët e kishim fituar më parë, duke na i mbyllur institucionet, mediat, suprimuar Autonominë edhe ashtu fragjile, duke na e rrënuar arsimin, shëndetësinë, artin dhe letërsinë dhe gjithçka tjetër shqiptare në Kosovë.
Kësisoj, e vetmja formë e mbijetesës ishte vetorganizim dhe rezistenca, në fillim paqësore e pastaj edhe tek ajo e armatosur. Kjo periudhë e këtij vetorganizimi, padëgjushmërie dhe veprimi jashtë institucional të kohës, më plot sakrifica dhe sfida me çmim jete e mahniti botën.
Refuzimi i robërisë dhe vendosmëria për të sakrifikuar çdo gjë për lirinë aq të pritur, ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes sublime, me fillimin e demonstratave të vitit 1981, e cila nuk u ndal as për një moment të vetëm deri në rezistencën e armatosur.
Pra, me lëvizjen gjithëpopullore të LDK-së dhe filozofinë politike të Dr. Ibrahim Rugovës në fund të viteve të tetëdhjeta, populli mori drejtimin e duhur, për çka, u u arrit shumë që problemi i Kosovës të ndërkombëtarizohet dhe secilën herë e më tepër të dëgjohet dhe pranohet e vërteta dhe e drejta jonë për të qenë të lirë.

Pra kjo periudhë afro e një çerek shekulli, ishte vendimtare, që Kosova të merrte veten nga brenda dhe mbështetjen dhe jashtë ne rrugëtimin e saj plot sakrifica, drejt lirisë dhe pavarësisë.
Historia jonë bashkëkohore, duhet që në thellësi të shpjegojë këtë rrugëtim tonin unik, në trajektoren e pavarësisë, që të lë si testament në historiografinë tonë shekullore kombëtare për liri.
Por, si do të shkruhet kjo histori, që të jetë e shkruar më kohë dhe t’i qëndroj besnike realitetit, fakteve dhe të vërtetës historike?!
Patjetër duke u nisur nga baza për të arritur deri tek vizionet udhëheqëse dhe faktori ndërkombëtar. Fatkeqësisht, deri më sot na mungojnë shumë histori të tilla nga terreni dhe të detajizuara madje edhe në nivel kombëtar!
Fatbardhësisht një qasje të tillë, deri më sot të munguar, për shpirtin rezistues dhe luftarak të popullit tonë për liri, të përkufizuar në një rreth karakteristik të ngushtë –Bashkësi Lokale, na e sjellë gazetari dhe publicist Florim Zeqa në librin që e keni në dorë “Personalitete që lanë gjurmë”.
Historia më e mirë dhe më besnike shkruhet nga pjesëmarrësit e krijimit të asaj historie, nga se ata janë dëshmitarët e vërtetë të cilët fizikisht kanë qenë pjesë aktive e saj.
Mu kjo ndodhë edhe me autorin e librit, Florim Zeqa, veprimtar i pandalshëm i kësaj kthese historike për të ardhmen e Kosovës, i cili, si veprimtar dhe mësimdhënës, pjesëmarrës i organizimeve rezistuese ndaj okupimit, aktivist i paepur i LDK-së, gazetar e publicist, që ai di të shpjegojë nga brenda gjitha sfidat dhe përkushtimin për lirinë e Kosovës.
Autori Zeqa, me shembullin që vetë e ka përjetuar, i përkufizon ngjarjet me saktësi përmes 35 personaliteteve të Bashkësisë Lokale Grabanicës (Komuna e Klinës), të ditëve më të vështira, kur kataklizma mbi neve vetëm sa ofrohej, ndërsa zhgënjimi nga faktori i jashtëm atëbotë sa vinte e shtohej, e kur shpresat duhej koncentruar në qëndresën tonë.
Autori Zeqa, në realitet përmes këtyre personaliteteve të shpjeguar në mënyrë të shkurtër monografike, vë në pah dedikimin e secilit nga ta që përfaqësojnë masën e gjerë të popullit tonë në ato vite sfiduese, për të sakrifikuar çdo gjë për të dalë nga robëria dhe pavarësuar nga Serbia.
Dhe vërtetë, në këtë mënyrë shpjegohet dhe kështu fillon së shkruari historia e e çdo populli dhe e çdo mjedisi, për t’u shpjeguar dhe pasqyruar në mënyrë reale ideali i atyre që dhanë shumë nga vetja e tyre për lirinë e vendit, që tashmë janë bërë pjesë e historisë kombëtare.
Në fund të viteve të tetëdhjeta, kur isha me qëndrim disa mujor si studiues në Londër, me ra që të bisedoj me një profesor universitar mu në këtë temë: “Si dhe kush duhet ta shkruaj historinë e një populli që duhet të mbetet thesar dhe testament rrugëtimi të për gjeneratat e reja”?
Më mbeti në kujtesë shpjegimi i tij, se historia përbën historinë vetëm nëse shkruhet nga ata që janë pjesë e saj, dhe më besnikja është ajo e cila shpjegon bazën tek njerëzit e thjeshtë. Dhe vazhdon profesori: ”Ke ne në Mbretërinë e Bashkuar, presim nga çdo intelektual që di të shkruaj, që të lë gjurmë me shkrime, dhe atë së paku për familjen e vet. Ngase, nga familja, rrethi, bashkia fillon çdo gjë”.
Andaj, e vlerësoj shumë këtë qasje të publicistit Florim Zeqa, si një levë të fortë të ngritur në historinë më të re të Kosovës, të cilën përmes këtij libri e shpërfaqë, duke filluar nga vetja, familja, bashkëvendësit, bashkësia lokale, dhe këtë në mënyrë shumë të bindshme, ku pjesa më e madhe e autorëve sot janë të gjallë dhe gëzojnë lirinë e arritur më shumë mund dhe gjak.
Për të mos hyrë në detaje dhe kapituj të librit, pasi që autori në parathënie i shtjellon shumë mirë, mund të them, se përmes këtyre 35 personaliteteve të cilët në Bashkësinë Lokale të Grabanicës shënuan kohën, Florim Zeqa sjellë për lexuesit tonë një risi, ku biografitë në fjalë pasqyrojnë më së miri vuajtjet, sakrificat, krenarinë, shpirtin liridashës në tërësi edhe të shqiptarëve të tjerë, në kapërcimin nga përbuzja, okupimi, denigrimi, në çlirim, liri dhe shtetndërtim.
Aq më tepër shpreh konsideratën më të lartë për autorin Florim Zeqa, që është autor edhe i dhjeta librave të tjerë, e mijëra komenteve dhe analizave politike gati në baza ditore, për veprimtarinë e tij të pa ndalur publicistike dhe kombëtare në vitet më të vështira në atdhe si dhe për punën e tij të pa ndalur nga mërgimi për atdheun edhe sot, nga i cili nuk u nda kurrë.
