Kryeziu: Patriotizëm është të respektosh qytetarët serbë, jo t’i përjashtosh nga garat zgjedhore

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe për garim në zgjedhje. Ai tha se KQZ-ja, e përbërë siç e quajti ai nga një “tavolinë burrash”, po kthehet në shënjestër gjykimesh dhe linçimesh publike, ndërsa me këtë qasje po cenohet barazia dhe e drejta e subjekteve politike për pjesëmarrje.

Sipas Kryeziut, një vendim i tillë rrezikon ta shndërrojë institucionin në arenë të folklorizmit politik duke ia vënë “një peshë të panevojshme në qafë” dhe duke e bërë Kosovën më të cenueshme në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

“Kosova zhvlerëson fuqinë e saj kur bie pre e demagogjisë politike. Patriotizëm sot do të thotë ta duash Republikën dhe ta respektosh rendin kushtetues, juridik e politik mbi të cilin është ndërtuar ajo. Patriotizëm është të respektosh qytetarët serbë, përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, të dialogosh me ta dhe të angazhohesh për integrimin e tyre, jo përjashtimin”, theksoi ai.

Kryeziu shtoi se është e dhimbshme kur klasa politike, për një grusht votash, e vendos Kosovën në “tabelat e linjat e kuqe” si vend që cenon të drejtat e komuniteteve pakicë duke dëmtuar imazhin dhe partneritetin ndërkombëtar të saj. /Kosova.info/


Go to TOP