Bajrami sulmon Qeverinë: Hajnitë dhe lidhjet me mafien energjetike nuk mbulohen me patriotizëm të rremë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë Kurti, duke e akuzuar për korrupsion, nepotizëm dhe dështime të rënda në qeverisje.
Ajo tha se pushteti aktual po përpiqet t’i mbulojë skandalet me patriotizëm të rremë dhe me tema që lidhen me Serbinë, por sipas saj, qytetarët nuk mund të mashtrohen më.
“Hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmi, kapja e institucioneve dhe lidhjet me mafien energjetike, nuk mund t’i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni dhe as me Listën Serbe,” ka shkruar Bajrami.
Ajo kujtoi se Qeveria kishte lejuar ikjen e Milan Radojçiqit në mes të ditës, duke e quajtur këtë një akt të papërgjegjshëm.
“Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste, edhe pasi ajo mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë. Sot po i luani patriotët – hipokrita!”, ka shtuar ajo.
Ky reagim i Bajramit vjen në kohën kur debati politik në vend është intensifikuar rreth menaxhimit të situatës në veri dhe marrëdhënieve me Serbinë. /Kosova.info/
