Izraeli miraton planin për pushtimin e Gazës, forcat izraelite vrasin komandantin e lartë të Hamas-it
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, miratoi të mërkurën planin e pushtimit të qytetit të Gazës nga Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF), duke e emëruar operacionin “Gideon’s Chariots II”, shkruan Jerusalem Post, transmeton KosovaPress.
Plani, i prezantuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerallejtënant Eyal Zamir, dhe komandat i lartë ushtarak, synon të vazhdojë operacionin e parë “Gideon’s Chariots” të majit. Për realizimin e tij, IDF-ja do të thërrasë rreth 50,000 rezervistë dhe ka miratuar evakuimin e civilëve nga Gaza City drejt jugut të Gazës për të izoluar terroristët e Hamas-it.
Sot, IDF-ja njoftoi vrasjen e një tjetër anëtari të lartë të Hamas-it, Muhammad Naif Abu Shamala, duke vazhduar operacionet kundër udhëheqësve të organizatës pas sulmeve dhe rrëmbimeve të mëparshme.
Në javët e fundit, IDF-ja ka eliminuar disa komandantë dhe terroristë të lartë të Hamas-it, përfshirë Muhammad Naif Abu Shamala, Jihad Kamal Salem Najjar dhe Abdullah Saeed Abd al-Baqin, pjesëmarrës në sulme dhe rrëmbime të ushtarëve gjatë 7 tetorit 2023. Këto veprime kanë shërbyer për të zvogëluar kapacitetin e Hamas-it para ofensivës së re.
Në të njëjtën kohë, një propozim egjiptian, i mbështetur nga Hamas, sugjeron lirimin e 10 pengjeve në këmbim të një armëpushimi 60-ditor, por zyrtarët izraelitë nënvizojnë se pa lirimin e të gjithë pengjeve, Izraeli nuk do të hyjë në negociata.
“Politika e Izraelit nuk ka ndryshuar: kërkohet lirimi i të gjithë 50 pengjeve sipas parimeve të kabinetit për përfundimin e luftës”, tha një burim politik i lartë.
Një zyrtar i lartë deklaroi se planifikimi operativ vazhdon dhe vendimi i kabinetit për të pushtuar Gaza-n do të zbatohet, duke theksuar se kjo fazë është vendimtare për të goditur Hamas-in dhe për të mos lënë asnjë peng pas.
