SPERTK i drejtohet Qeverisë: Paguani menjëherë punëtorët e RTK-së, ndryshe të hënën fillojnë protestat
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka dërguar një kërkesë zyrtare drejtuar menaxhmentit të RTK-së, Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave duke kërkuar shpërndarjen urgjente të pagave për punëtorët e RTK-së.
Në letrën e tyre, sindikata thekson se tashmë janë bërë 19 ditë pa paga, ndonëse javën e kaluar është marrë vendimi në parim për buxhetin e RTK-së. SPERTK kërkon sqarim të qartë për ecurinë e procesit të transferimit të pagave dhe afatin e përfundimit të kësaj procedure.
“Punëtorët presin me të drejtë pagën për punën që e kanë kryer, dhe kjo situatë është e papranueshme. Ju bëjmë thirrje ta përshpejtoni këtë proces, pasi vonesa ka dëmtuar rëndë punëtorët e RTK-së dhe vetë institucionin tonë,” thuhet në kërkesë.
Sindikatës i kujton institucioneve se protesta e paralajmëruar më herët ishte anuluar “në shenjë mirëbesimi”, por paralajmëron se nëse deri të premten nuk realizohet shpërndarja e pagave, të hënën në orën 09:30 do të nisin protestat dhe format e bojkotit të ligjshëm.
“Presim përgjigje konkrete nga të gjithë akterët institucionalë më së voni deri të premten,” përfundon kërkesa e Kryesisë së SPERTK-së. /Kosova.info/
