Avokati tregon emrat e dëshmitarëve që do ta mbrojnë Thaçin
Në konferencën përgatitore për mbrojtjen në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre-Richarf Prosper, tha se një listë e gjerë e dëshmitarëve do të përdoren në procesin e mbrojtjes në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Duke marrë parasysh që në këtë fazë të procesit, dëshmitë mund të pranohen edhe në formë të shkruar, Prosper bëri të ditur se ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, diplomati Richard Holbrooke dhe senatori Bob Dole, janë në mesin e figurave ndërkombëtare që do të dëshmojnë.
Ai tha se informacioni është shfajësues e që lidhet drejtpërdrejt me lëndën e prokurorisë.
Prosoper: Kemi një listë të gjerë të dëshmitarëve
“Kemi pasur komunikim të vazhdueshëm, kanë thënë se po e trajtojnë kërkesën. Janë shumë të informuar, mirë të informuara, sa i takon procesverbaleve, disa sqarime, dhe çështjes së këtyre dëshmitarëve. Pra, sikurse mund ta vëreni kemi një listë të gjerë të dëshmitarëve. Nuk mund t’i them këta emra në publik, por megjithatë bëhet fjalë për persona me ministatur të madhe, domethënë persona që janë shumë të njohur, si për shembull sekretarja Albright, Richard Holbrooke, senatori Doll…Informacioni që ne kemi është shfajësues dhe për këtë arsye është e rëndësishme për ta vendosur në kontekst. Është informacion shfajësues dhe kemi të bëjmë me informacion që lidhet drejtpërsëdrejti me lëndën e Prokurorisë”, tha Pierre-Richard Prosoper.
Përveç kësaj, gjatë konferencës përgatitore të mbajtur sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit, i përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, bëri të ditur se synojnë të përmbyllin paraqitjen e dëshmitarëve të tyre deri në fund të muajit nëntor.
Mishetiq: Deri në fund të nëntorit do të përfundojmë të gjitha dëshmitë
“Ne propozojmë këtë që deri në fund të nëntorit do të përfundojmë të gjitha dëshmitë. Pastaj, të na u jepet pak kohë më mbrapa njësoj, si dhe Prokurorisë mbase ka ndonjë mocion që se kemi dorëzuar ende dhe duhet trajtuar, mund të kemi mocione të provave jogojore, sidomos për dokumente që nuk do të pranohen përmes dëshmitarëve dhe ta mbyllim dhe ne paraqitjen e provave njësoj si prokuroria”, tha Mishetiq.
Ndërkohë, mbrojtja e Jakup Krasniqit, e përfaqësuar nga avokati Aiden Ellis, deklaroi se për paraqitjen e provave të tyre u nevojitet një javë, pa llogaritur kohën për kundërpyetje.
Ellis: Pa kohën për kundërpyetjet, na duhet një javë
“Sa i takon afatit për provat tona, po flas pa marrë parasysh kundërpyetjet, por për dy dëshmitarët e rregullës 154 që do të kemi ne, mendoj që neve na duhet një javë, jo më shumë”, tha Ellis.
Ai shtoi se është ende e paqartë se kur do të përfundojë paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes së Krasniqit, pasi kjo do të varet nga përfundimi i paraqitjes së provave nga mbrojtja e Hashim Thaçit.
Data e fillimit të paraqitjes së provave nga mbrojtja në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u konfirmua zyrtarisht gjatë konferencës për ecurinë e procesit të mbajtur të hënën.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, përmes një urdhri gojor, bëri të ditur se kjo fazë e procesit pritet të nisë më 15 shtator 2025.
Ndërkaq, mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë hequr dorë nga e drejta e tyre për të paraqitur prova në këtë rast.
Dje, më 18 gusht në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për të vendosur kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.
Ndonëse Prokuroria kërkoi që vizitat të ndaloheshin për tre vëllezërit e Thaçit, kërkesa u miratua për 11 të tjerë. Derisa, vizitat u ndaluan për Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar ngjashëm si i vëllezërve të Thaçit.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake thekson se kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të Thaçit në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, [REDAKTUAR], [REDAKTUAR], Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati, [REDAKTUAR] dhe [REDAKTUAR]. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për Thaçin”, thuhet në vendim.
Vendimi është marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
