Syla: Kosova rrezikon valë ç’njohjesh pas pesë viteve dështim në qeverisjen Kurti

Gazetari dhe ish-diplomati Donat Syla ka shprehur shqetësim të madh për gjendjen aktuale të Kosovës duke paralajmëruar se nga burime ndërkombëtare ka indikacione të forta për një valë të mundshme ç’njohjesh të pavarësisë nga disa vende.

Syla e cilësoi periudhën pesëvjeçare të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti si “dështim total” në shtetndërtim dhe diplomaci duke theksuar se argumentin kryesor për këtë situatë po e ofrojnë vetë liderët e vendit me “perdhosjen e çdo arritjeje të viteve të kaluara”, shfaqjen e “spektakleve folklorike” dhe përplasjet e vazhdueshme me aleatët ndërkombëtarë.

Sipas tij, shteti gjendet “në gjendje malinje, para dekompozimit”, ndërsa e cilësoi situatën si emergjencë kombëtare. Ai bëri thirrje që çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, të angazhohet maksimalisht për të mbrojtur arritjen që kulmoi më 2008 – shpalljen e pavarësisë, të cilën e quajti “suksesi më i madh i shqiptarëve në këtë shekull”. /Kosova.info/


Go to TOP