MD: Të nisin procedurat disiplinore ndaj prokurorëve e gjyqtarëve që liruan Mefail Shkodrën
Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas ngjarjës së rëndë që ndodhi në Gjilan, ku humbën jetën tre qytetarë, duke theksuar se Mefail dhe Edonis Shkodra, të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë dhe aktualisht në arrati, kishin qenë më parë në paraburgim dhe ishin liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas MD-së, ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi.
“Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme. Ministria e Drejtësisë i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, që të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë. Përgjegjësia ligjore, institucionale dhe morale duhet të jetë e plotë dhe e pakompromis”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, Ministria u bën thirrje të gjitha forcave politike që të ndalin pengesat e vazhdueshme ndaj reformave në sistemin e drejtësisë.
“Reforma në drejtësi nuk është luks dhe as çështje e interesit të ngushtë politik por është një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Drejtësia nuk është pronë e askujt. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit ligjor. Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si alarm për të gjithë, pa një drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të çuar përpara reformat e nevojshme dhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të drejtë, të pavarur dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve”, thuhet në reagim.
Për këtë rast, më herët ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendhsme, Xhelal Sveçla, i cili ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Përndryshe, një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në Gjilan, ku tre persona janë vrarë në rrugën “Ibrahim Rugova” rreth orës 12:30.
Ndërkohë në lidhje me sulmin ku mbetën tre persona të vrarë, policia ka shpallur në kërkim Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra. /Kosova.info/
