Një person humb jetën nga therja me thikë në Zhur, i dyshuari në arrati
Një person ka vdekur në QKUK si pasojë e plagëve të marra, pas therjes me thikë në fshatin Zhur të Prizrenit. Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.
“Sonte, më datë 10.08.2025, rreth orës 21:20, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se një person me lëndime është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, viktima, mashkull, ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”, thuhet në njoftimin e Bytyqit.
Tutje bëhet e ditur se patrullat policore janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar dhe aktualisht ndodhet në arrati.
“Njësitë policore janë ende në terren dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për kapjen e tij. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe po ndërmerren veprimet ligjore të mëtejme”, thuhet tutje në njoftim.
