Manifestimi letrar “Guri i Plakës” edicioni IX mbajtur në Drenas me krijues mërgimtarë

Në organizim të Asociacionit të letrarëve dhe artistëve Art Club “Rifat Kukaj” në Drenas, sot në ambientet e restoranti “Guri Plakës” u mbajt Festivali i poezisë “Guri i Plakës” edicioni i IX, me pjesëmarrjen e krijuesve mërgimtarë. Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Art Club “Rifat Kukaj”, poeti Izet Abdyli, i cili theksoi se qëllimi i këtij evenimenti është prezantimi dhe promovimi i vlerave të krijuesve mërgimtarë.

Manifestimi u zhvillua në një ambient piktoresk që ndërthur legjendat për gurin e vashave dhe gurin e plakës, mençurinë e urtakut Xhemail Abria, si dhe bëmat e heronjve si Azem Galica dhe Shaban Polluzha. Fillimisht u përurua libri postum “Frymime letrare” i poetit Hamdi Kurti, për të cilin folën poetët Halil Xani dhe Ismet Smakaj, duke vlerësuar lart krijimtarinë e autorit.

Në vijim u hap ekspozita e piktorit Nexhmedin Bardhi, për të cilën folën Fatmir Caraku dhe vetë autori. Manifestimi vazhdoi me orën letrare ku lexuan poezitë e tyre krijues nga diaspora në Gjermani, Suedi, Zvicër, Austri, Slloveni, Norvegji, Kanada, si dhe nga Kosova. Poezitë u interpretuan nga Nexhat Rexha, Mexhid Havolli, Imer Gllareva, Selman Dervishi, Nebih Bunjaku, Mustafë Krasniqi, Zeqir Bekolli, Syhejl Havolli, Rrahim M. Sadiku, Avdyl Berisha, Ali Berisha, Selvete Abdullahu, Mehdi Hyseni, Vlora Hajdari, Baki Krasniqi, Sanije Dubova, Agim Gashi, Hasan Elshani, Xheladin Mjeku, Naser Xani e të tjerë.

Ekspozita e piktorit Bislim Elshani me tema lufte dhe sociale, me kurator Fatmir Caraku, dha një sharm të veçantë manifestimit. Grupi artistik “Drenica” solli vallet tropojane dhe rapsodi nën drejtimin artistik të Imer Kurtit.

Në përmbyllje, juria në përbërje të Nexhat Rexhës, Mustafë Hoxhës dhe Imer Gllarevës ndau çmimet:

Çmimi i parë për poezinë “Fjala e keqe” (shifra “E keqja 2025”) i autorit Zeqir Bekolli,

Çmimi i dytë për poezinë “Ante portas” (shifra “Par portës”) i autorit Mexhid Havolli,

Çmimi i tretë për poezinë “Një gotë me diell” (shifra “Dieli im”) i autores Elmije Ajazi.

Çmimi për vepër jetësore “Krijuesi Diasporës” iu nda poetes Valbona Ahmeti, mërgimtare në Kanada. Për kontribut në organizimin e manifestimit u dhanë mirënjohje Fetah Bahtirit, Adem Zejnullahut, Shaqir Foniqit dhe Nexhmedin Bardhit.

Manifestimi u mbështet financiarisht nga Drejtoria e Kulturës dhe Sportit në Drenas dhe mërgimtarët Hazir Mehmeti, Ramadan Nika dhe Selman Dervishi. /Kosova.info/


Go to TOP